Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka shprehur kundërshtim ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
Në një deklaratë të miratuar në mbledhjen e mbajtur sot Kuvendi i Rahovecit e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm dhe ka thënë se ai prek ndjenjën e drejtësisë dhe kujtesën e popullit të Kosovës.
Në deklaratë përmenden edhe rastet e Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, për të cilët Kuvendi shprehet se janë dënuar padrejtësisht.
“Kujtesa jonë dhe ballafaqimi me padrejtësinë lidhet edhe me dënimin e padrejtë e të papranushëm të Sali Mustafës dhe të Pjetër Shalës”
Kuvendi ka deklaruar se kundërshton çdo përpjekje për të barazuar agresorin me viktimën, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë personat që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar këtë proces me dhimbje dhe shqetësim.
Në deklaratë thuhet se “beteja për drejtësi vazhdon” dhe se e vërteta do të kërkohet përmes mjeteve demokratike.
Në fund, Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka përcjellë mesazhin:
“JO NË EMRIN TIM!
JO NË EMRIN E RAHOVECIT!
LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!”
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, para miratimit të deklaratës nga Kuvendi Komunal, ka deklaruar se deklarata është përgatitur në bashkëpunim me kabinetin e kryetarit, shefat e grupeve politike dhe shoqatat e dala nga lufta.
Latifi tha se pret që deklarata të marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit.
“Me kabinetin e kryetarit edhe me shefat e grupeve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Rahovecit edhe me shoqatat e dala nga lufta dhe e kemi bërë gati një deklaratë e cila besojmë thellësisht se do ta marrë miratimin e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ka thënë ai.
Duke iu referuar vendimit të Dhomave të Specializuara, Latifi tha se në solidaritet me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përfshirë qytetarë, bashkatdhetarë, shoqëria civile dhe përfaqësues të institucioneve.
“Në vazhdën e solidaritetit që gjithandej po ndodh, nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga ana e bashkatdhetarëve tanë, nga ana e shoqërisë civile, nga ana e plot përfaqësuesve të institucioneve të shtetit tonë, po nga ana e shqiptarëve kudo që ndodhen edhe liri-dashësve kudo që janë e që vlerësojnë me respekt luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ndodh edhe solidaritet”, ka shtuar ai.
Latifi theksoi edhe rolin që, sipas tij, ka pasur Rahoveci dhe rrethina në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Duke qenë se Rahoveci me rrethinë ishte dhe mbetet pjesë e pandarë me çdo qelizë e në e rrugëtimit për liri, në rrugëtimin për liri ne kemi konsideruar dhe kemi vlerësuar që është e nevojshme nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Komunës së Rahovecit, nga ana e asamblesë”, tha ndër të tjera Latifi.
Sipas Latifit, përmes kësaj deklarate Kuvendi Komunal synon të shprehë qëndrimin e tij ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
“Ta nxjerrim një deklaratë, ta fusim në rend dite deklaratën kundër aktgjykimit të padrejtë dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Latifi.
Kurse, shefja e grupit të asamblistëve të Aleancës, Saranda Sellateku tha se, sipas saj, aktgjykimi nuk prek vetëm katër individë, por edhe atë që ajo e cilësoi si “themelet e pastërtisë së luftës çlirimtare”.
“Prandaj e përjetojmë rëndë dhe e ndjejmë peshën e madhe të padrejtësisë mbi kurrizin tonë. Aktgjykimi dënues për krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, si dhe dënimet e mëparshme të Salih Mustafës e Pjetër Shalës, na dëshmon edhe njëherë se laviersi i drejtësisë shpeshherë anon ndaj forcave dhe fuqisë ndikuese ruse”, tha Sellateku.
Në fund, Sellateku u bëri thirrje qytetarëve të Rahovecit që t’i bashkohen marshit të paralajmëruar për sot në orën 17:00 në sheshin e qytetit.
“Jo në emrin tim, jo në emër të popullit tonë”, tha ajo.
Përfaqësuesi i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirigzon Kastrati ka shprehur shqetësimin lidhur me gjykimin dhe dënimin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se asnjë gjykim, sipas tij, nuk mund ta zhbëjë atë që e cilësoi si të vërtetën historike të luftës së Kosovës.
“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, jemi të përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe besojmë se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore, përfshirë edhe këtë deklaratë të Kuvendit Komunal që sot do ta votojmë. Në emër të grupit të asamblistëve, prandaj qëndrimi ynë është i qartë: ta mbrojmë dhe ta ruajmë të vërtetën historike të shtetit tonë dhe të mos lejojmë që ndasitë politike të cenojnë unitetin e qytetarëve të Kosovës. Dhe nga ky kuvend komunal mesazhi ynë le të jetë i qartë, respektojmë drejtësinë, respektojmë institucionet dhe liritë e të drejtat e qytetarëve tanë” shtoi Kastrati
Ai tha se duhet të ruhet uniteti i qytetarëve dhe që historia e luftës të mos “tjetërsohet, mohohet apo deformohet”.
“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë, dje, sot e përjetësisht”, përfundoi ai.



