Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi, Rama e ka vlerësuar si të rëndësishëm unitetin institucional të treguar nga Kuvendi, duke theksuar se çështjet që lidhen me luftën dhe historinë e Kosovës duhet të tejkalojnë dallimet politike.
“Ky unitet institucional në miratimin e Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ishte jetik”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se, sipas tij, përballë çështjeve që lidhen me luftën, sakrificën e popullit dhe të kaluarën historike të Kosovës, përgjegjësia e përbashkët duhet të jetë mbi dallimet politike.
“Mbi partitë është shteti. Mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike”, ka deklaruar Rama.
Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe raportin mes drejtësisë dhe së vërtetës historike, duke thënë se Kosova duhet të ruajë unitetin kur preken çështje që lidhen me themelet e lirisë së saj.
“Sot Kuvendi e dha këtë mesazh. Dhe është një mesazh që duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës”, ka përfunduar Rama.