Në një treg pune që po ndryshon vazhdimisht, KosovaJob synon ta çojë përvojën e punësimit në një nivel të ri përmes versionit të ri të platformës, KosovaJob 2.0, i cili sjell një dizajn të ridizajnuar, funksionalitete të mbështetura nga inteligjenca artificiale dhe mundësi të reja për kompanitë dhe kandidatët, raporton Ekonomia online.
Platforma e re synon të lehtësojë procesin e rekrutimit, të përmirësojë komunikimin ndërmjet punëdhënësve dhe kandidatëve, si dhe të krijojë mundësi për zhvillim profesional përmes trajnimeve të integruara në platformë.
Gili Hoxhaj nga KosovaJob tha se versioni i ri është rezultat i një vizioni që synon t’i vendosë kompanitë dhe kandidatët në qendër të ekosistemit të punësimit, duke u mundësuar bizneseve të gjejnë talentet e duhura dhe kandidatëve të identifikojnë kompanitë ku dëshirojnë të zhvillojnë karrierën e tyre.
“Ne besojmë që pas çdo shpalljeje pune është një histori rritjeje për një kompani, një histori e krijimit dhe bashkëpunimit me KosovaJob, e cila na ka motivuar deri në këtë pikë sot, ku me këtë version të ri, ju vendosëm edhe juve në plan të parë, pasi që edhe ju mund t’i gjeni kandidatët tuaj më të përshtatshëm në platformën tonë. Mirëpo, e kemi krijuar një rrjet të sigurt dhe një ekosistem, të cilin mund ta kuptoni më mirë. Mirëpo, kësaj radhe po kujdesemi edhe për pozicionimin e çdo kompanie tuaj brenda ekosistemit të KosovaJob, sepse sot nuk është thjesht vetëm ta gjeni talentin, por edhe talenti ta shohë kompaninë tuaj si vendin ku dëshiron të jetë, ndërsa edhe shumë kohë para se ta shtypni butonin aplikant. Pyetja së cilës po i japim përgjigje sot nuk është më vetëm ku do të punësojë, por edhe si do ta zhvillojë dhe si do ta ndihmojë të avancojë. Andaj, sot po e prezantojmë edhe KosovaJob Training Center, ku kemi mbledhur trajnerët më të mirë në Kosovë.
Ky vizion është transformuar dhe ky projekt është realizuar me mbështetjen e Matching Skills to Jobs, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, i implementuar nga Swisscontact, të cilët i falënderojmë për mbështetjen dhe besimin në këtë projekt. Tani besimin tuaj po e kthejmë në një standard të ri, me pamje të re, por me vizionin e njëjtë, që t’ju lidhim me njerëzit e duhur dhe të jemi të gatshëm për të ardhmen që po na pret”, tha Hoxhaj.
Udhëheqësi dhe themeluesi i KosovaJob, Arion Rizaj, bëri të ditur se versioni 2.0 është zhvilluar me ndihmën e inteligjencës artificiale, e cila synon të përmirësojë përvojën e kandidatëve gjatë kërkimit të punës, si dhe t’u ofrojë kompanive mjete më efikase për identifikimin dhe përzgjedhjen e talenteve.
“E prezantojmë KosovaJob versioni 2.0 që është versioni ndoshta i parë në rajon edhe më i gjerë, që është komplet i gjeneruar me AI, edhe funksionet mbrapa janë me ndihmën e inteligjencës artificiale. Çka nënkupton për një kandidat është që ka menduar komplet eksperiencën, qysh ka me ardhur deri te një vend i punës. Ka menduar komplet eksperiencën, qysh ka me u informuar për vendet e punës që ka aplikuar, qysh ka me i marrë informatata prej punëdhënësve. Shembull e prezentova, në qoftë se për tri kandidatë të ndryshëm, ose për një kandidat tri kompani të ndryshme kanë bërë që s’ka di, po prezenton një intervistë, sistemi automatikisht ka me ia krijuar kandidatit një raport, me ia dërguar që me ditë kandidati, çka po ndodh me të në prapaskenë.
Për bizneset, e ndërron komplet formën se qysh i gjejnë kandidatët, qysh i filtrojnë, qysh kanë me manovruar me databazën e KosovaJob-it, qysh kanë me hy direkt te kandidatët me iu shkruar, me i pyetur nëse janë të interesuar për një vend pune. E mbi të gjitha, jemi të mundësuar për herë të parë për kandidat, me mund me gjetë të gjitha trajnimet e mundshme që ekzistojnë në treg, brenda KosovaJob-it. Ku edhe në qoftë se, ka njëherë edhe nuk dinë qysh me i gjetë, sistemi ka me i gjetë formën me ia transmetuar. Për shembull, në qoftë se një kandidat del që ka mungesë aftësie në komunikim, sistemi automatikisht ka me i dhënë që ‘kur e keni trajnim komunikim, është mundësia e mirë për ty’. Do të thotë në këtë formë, jemi të munduar me e ndërruar pak formën se qysh po punësohet në Kosovë, edhe mbi të gjitha me qëndruar një hap në trend, sidomos me teknologjinë që po na mundëson me bërë mrekulli sot”, deklaroi Rizaj.
Ai theksoi se qëllimi i platformës është që përfitimet nga teknologjia e re të ndahen ndërmjet të gjitha palëve në tregun e punës, pa favorizuar vetëm punëdhënësit apo kandidatët.
“Kjo për herë të parë, mund me t’u përgjigj me 100% siguri mbrapa kësaj që po e vëmë, është se qysh ka me i ndihmuar bizneset, në formë ekuivalente ka me i ndihmuar edhe kompanitë. Edhe ky ka qenë qëllimi, që mos me shku me i ndihmuar veç një palës. Po kur gjenerohet një platformë, kur krijohet, sikur ky model i ri KosovaJob, do të jep platformë për krejt, në fund barabar. Ku secili ka mundësi veç, përveç nëse dikush nuk do, me ardhur deri te mundësia, se t’i njeg deri sa ata e gjejnë mundësinë. Do të thotë në këtë formë”, u shpreh Rizaj.
Sipas tij, versioni i ri do të jetë i qasshëm për të gjithë përdoruesit nga 21 tetori, në orën 09:00.
“Është 20 tetor, duhet të jetë 20 tetor nëse nuk gaboj. Të mërkurën në orën 9:00. Do të thotë prej momentit kur kandidati edhe punëkërkuesi, punonjësi, kush do që hyn në platformë KosovaJob, e ka komplet platformën e re”, bëri të ditur Rizaj.
Projekti është realizuar me mbështetjen e Matching Skills to Jobs, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, i implementuar nga Swisscontact. Me KosovaJob 2.0, platforma synon të ndërthurë punësimin, komunikimin dhe zhvillimin profesional në një ekosistem të vetëm, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron inteligjenca artificiale.



