Dy persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin për kontrabandim me mallra dhe shmangie të pagesës së tarifave doganore.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:40, kur njësitë e Sektorit të Hetimeve të Policisë Kufitare ndaluan për kontroll një automjet transportues (kombi) me targa vendore, në të cilin ndodheshin dy të dyshuar meshkuj.
Gjatë kontrollit, policia gjeti një sasi të konsiderueshme mallrash të kategorive të ndryshme, përfshirë barna, produkte higjienike, bizhuteri, veshmbathje, pajisje teknologjike, kompjuterë, laptopë dhe telefona celularë.
Të dyshuarit kanë deklaruar gjatë intervistimit se mallrat i kishin sjellë nga Maqedonia e Veriut, por nuk kanë paraqitur dokumentacion që dëshmonte importin e tyre të ligjshëm.
“Në cilësi të provës materiale përveç mallrave të gjetura është sekuestruar edhe automjeti transportues. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.