Celine Dion është larguar nga Parisi pas përfundimit të një serie prej 16 koncertesh, duke tërhequr vëmendjen e fansave edhe me praninë e dy djemve të saj binjakë, Eddy dhe Nelson, të cilët rrallë shfaqen në publik.
Këngëtarja kanadeze u përshëndet me fansat para hotelit Royal Monceau, ku u shfaq e veshur me një pallto ngjyrë ulliri dhe syze të errëta, ndërsa mbante nën pallto qenin e saj të vogël.
Ajo u dërgoi puthje të pranishmëve dhe u shpreh se tashmë i kishte marrë malli për ta.

Foto: TikTok
Eddy dhe Nelson, 15 vjeç, janë fëmijët që Dion i pati me bashkëshortin e ndjerë, Rene Angelil.
Gjatë qëndrimit në Paris, ata e shoqëruan vazhdimisht nënën e tyre, teksa vëllai i tyre i madh, Rene-Charles, 25 vjeç, iu bashkua asaj një ditë para koncertit të parë.
Seria e koncerteve në Plenitude Arena, në Nanterre, shënoi rikthimin e këngëtares në skenë pas gjashtë vitesh, pasi ishte tërhequr nga aktivitetet publike për shkak të sindromës së personit të ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik.

Foto: TikTok
Rreth 560 mijë njerëz ndoqën 16 performancat e saj, secila me rreth 30 këngë.
Pas përfundimit të koncerteve, 58-vjeçarja është nisur drejt Las Vegasit, ku jeton.
Ajo pritet të rikthehet në të njëjtën arenë në maj të vitit 2027, me dhjetë koncerte të tjera, ndonëse po punon edhe për një album të ri në gjuhën frënge, që pritet të publikohet vitin e ardhshëm. /Telegrafi/