Pavarësohet programi ATLS Kosova, synohet ngritja e standardeve në trajtimin e traumave
Programi ATLS Kosova (Advanced Trauma Life Support), që synon avancimin e njohurive dhe aftësive të profesionistëve shëndetësorë për trajtimin e pacientëve me trauma, është pavarësuar nga organizimi paraprak, duke shënuar një hap të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, u vlerësua se krijimi i ATLS Kosova do të mundësojë vazhdimin e programit nga profesionistët vendorë dhe zbatimin e njohurive të standardizuara ndërkombëtare në trajtimin e pacientëve të lënduar.
Nënkryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Mentor Ahmeti, tha se Kosova ka arritur të krijojë kapacitete të mjaftueshme profesionale për ta zhvilluar një nga programet e rëndësishme të trajnimit për trauma në rajon.
“Kështu që jemi shumë të lumtur që kemi resurse njerëzore lokale, kaq të forta, që ta bëjmë një nga kurset më të forta në Ballkan të ATLS-it, edhe një nga kurset e vetme në Ballkan të ATLS-it. Shumica e shteteve ish-Jugosllave nuk kanë kurse të ATLS-it; ka Greqia, Shqipëria, edhe ne. Asnjë shtet tjetër në Ballkan nuk ka kurs të ATLS-it. Kështu që ne mendojmë se është një arritje shumë e madhe e Shëndetësisë së Kosovës, që ka kalibër kaq të lartë të mjekëve dhe të administratorëve ta themelojë një kurs të tillë”, tha ai.
Drejtori i ATLS Kosova, Baton Kelmendi, i cili nga sot ka marrë këtë detyrë, tha se pavarësimi i programit është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe angazhimit të profesionistëve shëndetësorë.
“ATLS-i ka qenë në fillim një ëndërr, e cila vështirë se ishte bërë pa e pasur vizionin e Profesor Rifatit dhe Dr. Mentorit. Të dy kanë qenë jashtëzakonisht të angazhuar, por pa të tjerët kisha dashur të falënderoja edhe krejt ekipin që e kemi këtu, stafin, që është bërë një punë e madhe, siç tha Dr. Mentori prapa skenës, e cila nuk është vërejtur. Ka pasur vullnet të madh prej ditës së parë, edhe mbas sa viteve dhe sa kurseve të kryera, të mbajtura në Qendrën e Urgjencës, arritëm në ditën kur po pavarësohet ATLS-i dhe po krijohet ATLS Kosova. Kjo më bën krenar mua, kolegët e mi, edhe është një hap i madh për Shëndetësinë e Kosovës, për shkak se për ata të cilët nuk janë në fushën e mjekësisë, aplikimi i hapave të ATLS-it në trajtimin e çfarëdo traume do të thotë jetë. Kjo është, domethënë, një ndër pikat themelore në trajtimin e pacientëve të cilët janë të lënduar. Besoj që në të ardhmen, përveç se si ndihmë ikonike në Kosovë që e kemi ATLS-in e pavarur, edhe pacientët tanë do të kenë benefit prej aplikimit të këtyre njohurive që i marrim në këtë kurs”, tha ai.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e cilësoi këtë ditë si të veçantë për zhvillimin e mjekësisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kapaciteteve vendore për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në trajtimin e traumave.
“Se kur kam hyrë në dhomë, kam reflektuar për disa milisekonda, prej dëshirës me kriju kolegjin e kirurgëve të Kosovës, si strukturë, e derisa e kemi krijuar, Advanced Trauma Life Support in Kosovo, e derisa po e tejkalojmë tash në duart tona komplet, kjo edhe shpirtin ta bën më të qesh. And if this doesn’t make you happy, you have no feelings. Se nuk ka kurrgjë më të rëndësishme se këtë që e kemi bërë ne në zhvillimin e mjekësisë së Kosovës deri më tash. Sot është një ditë e veçantë, për traumën, por përgjithësisht për mjekësinë në Kosovë, me promulgimin e këtij kursi, “Mjekët tanë”, do të flasin të njëjtën gjuhë me kolegë kudo në botë, ku shpëtohet jeta e atyre që janë të lënduar”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e vlerësoi pavarësimin e programit si sukses të shëndetësisë kosovare, duke falënderuar të gjithë profesionistët dhe institucionet e përfshira në realizimin e tij.
“Sot po e bëjmë një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në shëndetësinë kosovare, ku kursi i ATLS , ashtu siç u tha, po bëhet edhe në Kosovë një nga 3 vendet në 3 të regjionit tonë. Ky është një sukses i pamohueshëm i shëndetësisë kosovare, i cili nuk ishte arritur pa përkushtimin e të gjithë aktorëve, për të cilët, sinqerisht, dua t’i falënderoj secilin personalisht e institucionalisht për angazhimin e punën e madhe që e kanë bërë për realizimin e këtij hapi”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se pavarësimi i programit do të kontribuojë në ngritjen e standardeve të kujdesit emergjent dhe në përgatitjen e profesionistëve shëndetësorë për situata kritike.
“Pavarësimi i programit Advanced Trauma Life Support (ATLS) është një hap i madh drejt fuqizimit të profesionistëve tanë shëndetësorë dhe ngritjes së standardeve të kujdesit emergjent. Sepse në momentet më kritike, përgatitja e duhur dhe reagimi në kohë mund të shpëtojnë jetë. Për ne si Kryeqytet, është veçanërisht e rëndësishme të jemi pjesë e kësaj nisme. Kemi vënë në dispozicion objektin për zhvillimin e programit dhe kemi mundësuar trajnimin pa pagesë të stafit tonë shëndetësor. Në këtë kurs po marrin pjesë edhe profesionistë nga institucionet tona, të cilët njohuritë e fituara do t’i vënë drejtpërdrejt në shërbim të qytetarëve”, tha ai.
