Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Kosovës, Fadil Shurdhaj, ka thënë se invalidët e luftës janë furnizuar dhe vazhdojnë të furnizohen me proteza, pavarësisht se Komisioni për Buxhet nuk e mbështeti amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje dhe mjete mjekësore për ta.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shurdhaj ka theksuar se mjete për proteza ka, ndërsa ka ngritur shqetësimin për veteranët që kanë humbur gjymtyrë në rrethana të tjera, të cilëve u mbulohet vetëm 40 për qind e kostos së protezave.
“Është e vërtetë se deri më tani ua kemi rregulluar protezat të gjithë invalidëve që kanë pasur nevojë. Edhe ata që nuk kanë ardhur deri tash, por kanë nevojë për rregullimin e protezave, mund të vijnë, sepse kjo e drejtë realizohet edhe përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Për mjetet financiare që janë paraparë nuk jam i informuar, por, me sa di, mjete ka. Fakti që nuk ka kaluar kjo kërkesë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Ndoshta ka pasur mjete shtesë në fondin që ekzistonte, ose fondi i paraparë për invalidët e luftës tashmë është shpenzuar. Të gjithë janë furnizuar, por furnizimi me proteza po vazhdon edhe në këtë moment që po flasim”, tha Shurdhaj.
Tutje ai për EO-në ka veçuar si problem të veçantë gjendjen e veteranëve të luftës që kanë humbur gjymtyrë ose pjesë të trupit në aksidente, në vendin e punës apo në rrethana të tjera. Sipas tij, këta persona nuk përfitojnë mbështetje të plotë financiare për rregullimin e protezave.
“Një problem ose nevojë e veçantë është çështja e veteranëve të luftës që kanë humbur gjymtyrë ose pjesë të trupit në aksidente, në punë apo në rrethana të ndryshme. Ata nuk e kanë të drejtën e shfrytëzimit të fondit në masën 100%, sikurse ne invalidët e luftës. Neve, pavarësisht sa kushton proteza, na paguhet shuma e plotë. Ndërsa atyre u paguhet vetëm 40%, shumë kjo që nuk mjafton për rregullimin e protezave, ndaj shumë prej tyre mbesin pa i rregulluar ato. Numri i tyre është mjaft i madh. Ata kanë aplikuar përmes ministrisë, por u janë ndarë mjete financiare që nuk mjaftojnë për rregullimin e protezave”, ka deklaruar ai.
I pyetur se cilat do të ishin kërkesat drejtuar ministrisë dhe kryeministrit për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen invalidët e luftës, Shurdhaj ka bërë të ditur se përfaqësuesit e shoqatës kanë zhvilluar takime me ministrin e Punës, Familjes dhe Luftës, Andin Hoti, të cilit ia kanë paraqitur kërkesat e tyre.
Ai ka treguar se njëra nga kërkesat kryesore është plotësim-ndryshimi i ligjit, por ka shprehur pakënaqësi me afatin e paraparë për realizimin e tij.
“Ne kemi pasur takime me ministrin e Punës, Familjes dhe Luftës, zotin Hoti. Ia kemi paraqitur kërkesat tona. Së pari, kërkojmë rregullimin e çështjeve përmes plotësim-ndryshimit të ligjit, por nuk jemi të kënaqur me afatin e paraparë, pasi është shtyrë për vitin e ardhshëm. Kjo është shumë larg.Kemi nevojë edhe për banja rehabilituese. Në të kaluarën, qeveritë e mëparshme u kanë mundësuar invalidëve të luftës të shkojnë në banja, pasi kjo është e drejtë e përcaktuar me ligj. Që nga ardhja e kësaj qeverie, në kohën e Kurtit 2, asnjë kërkesë e jona për banja rehabilituese për invalidët e luftës nuk është realizuar”, shtoi Shurdhaj.
Një tjetër problem që ai ka ngritur lidhet me mbështetjen për invalidët e luftës që vuajnë nga sëmundje të rënda. Sipas tij, ata detyrohen të kërkojnë ndihmë financiare për të përballuar shpenzimet e trajtimit.
“Kemi edhe kërkesa të tjera që lidhen me sëmundjet e rënda. Si shoqatë apo si individë, ne invalidët detyrohemi të dalim e të kërkojmë mjete financiare për shërim dhe trajtim, pasi shpenzimet janë marramendëse. Problemi qëndron te udhëzimi administrativ. Ne kemi të drejtë në mbulimin e 100% të shpenzimeve, por ekziston edhe një kuotë financiare, e cila nuk mund të tejkalohet sipas këtij udhëzimi. Prandaj, i kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të hiqet kuota për invalidët e luftës për trajtimin dhe shërimin jashtë vendit, veçanërisht për sëmundjet malinje dhe sëmundjet e tjera të rënda”, potencoi Shurdhaj.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të hiqet kuota financiare për invalidët e luftës për trajtimin jashtë vendit, veçanërisht në rastet e sëmundjeve malinje dhe sëmundjeve të tjera të rënda, duke theksuar se kufizimet e përcaktuara në udhëzimin administrativ po ua vështirësojnë realizimin e kësaj të drejte.
Ndryshe, Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
