Arabia Saudite lehtëson procedurën e pajisjes me vizë turistike për kosovarët, MPJD jep detaje

Prishtinë | 21 Tet 2026 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë lehtësuar procedurat për pajisjen me viza turistike për shtetasit e Kosovës, duke e kaluar vendin nga Grupi B në Grupin A të shteteve që përfitojnë nga procedurat e thjeshtuara të vizave.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, sipas së cilës ky vendim u mundëson qytetarëve të Kosovës të aplikojnë për vizë elektronike ose të pajisen me vizë në mbërritje në Arabinë Saudite.

Lehtësimi vlen për udhëtimet me qëllime turistike.

“Autoritetet e Mbretërisë së Arabisë Saudite kanë miratuar kalimin e Republikës së Kosovës nga Grupi B në listën e vendeve të Grupit A, shtetasit e të cilave përfitojnë nga procedurat e lehtësuara për pajisjen me vizë. Ky vendim u mundëson shtetasve të Republikës së Kosovës të pajisen me vizë elektronike ose me vizë në mbërritje, për qëllime turistike. Ky zhvillim përbën një lehtësim konkret për udhëtimet e qytetarëve tanë dhe shënon një hap pozitiv në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme