Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, kanë vizituar Termocentralin “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ku kanë përcjellë nga afër punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit, DeNOx.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Ekonomisë, projekti përfshin njësitë B1 dhe B2 dhe financohet nga Bashkimi Evropian me afro 84 milionë euro, duke përbërë një investim të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe përmirësimin e performancës mjedisore të termocentralit.
Punimet në njësinë B1 kanë nisur në prill të vitit 2026 dhe planifikohet të përfundojnë në nëntor të këtij viti, ndërsa ndërhyrjet në njësinë B2 pritet të nisin në prill të vitit 2027.
Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga kontraktori dhe Bashkimi Evropian, në cilësinë e autoritetit kontraktues, që të bëjnë maksimumin për përfundimin e projektit brenda afatit të planifikuar.
“Rikthimi në kohë i njësisë B1 në operim është me rëndësi të veçantë për sigurinë e furnizimit gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa për energji është e lartë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, ministrja Rizvanolli ka theksuar rëndësinë e përcjelljes së vazhdueshme të ecurisë së projektit dhe adresimit pa vonesë të çdo pengese që mund të ndikojë në afatet e zbatimit.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, elektrofiltrat dhe sistemi DeNOx synojnë që përqendrimi i pluhurit në gazrat dalëse të ulet në 20 mg/Nm³, ndërsa ai i oksideve të azotit në 200 mg/Nm³.
“Në bazë të objektivave të projektit, kjo përfaqëson ulje deri në 18 herë për pluhurin, nga 350 mg/Nm³ në 20 mg/Nm³, dhe rreth tri herë për oksidet e azotit, nga 540 mg/Nm³ në 200 mg/Nm³, duke përmirësuar ndjeshëm performancën mjedisore të termocentralit”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimeve të kësaj jave, Rizvanolli dhe Schuebel kanë diskutuar edhe reformat në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, përfshirë Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, i cili është në konsultim publik deri më 5 nëntor.
Ministria ka bërë të ditur se palët e interesit janë ftuar të përcjellin komentet e tyre për këtë projektligj, ndërsa miratimi i tij lidhet me përmbushjen e një kushti të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 6,26 milionë euro.
Në komunikatë bëhet e ditur gjithashtu se ministrja dhe ambasadori kanë vlerësuar rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, përfshirë Pakon e Mbështetjes për Energjinë në vlerë prej 75 milionë eurosh, përfundimi i së cilës u shënua më 16 tetor.
“Nga kjo pako kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.
Të dyja palët kanë ritheksuar angazhimin për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e investimeve dhe reformave që synojnë rritjen e sigurisë energjetike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe mbështetjen e modernizimit të sektorit të energjisë në Kosovë.