Sadiku për garën brenda LDK-së: Nuk kam ardhur të luftoj brenda partisë, por të kontribuoj

Prishtinë | 21 Tet 2026 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka deklaruar se nuk është pjesë e garës për lidershipin e partisë dhe se nuk ka aspirata për këtë pozitë, të paktën jo në këtë fazë.

Përmes një postimi, Sadiku ka thënë se në LDK është angazhuar për të kontribuar për vendin dhe jo për të krijuar grupe apo përçarje brenda partisë.

“Unë në LDK kam ardhë me punu. Me kontribu. Me bo diçka të mirë për vendin tim. Zgjedhjen për me qenë pjesë e LDK-së e kam bo vetë. Me bindje, me besim dhe me dashni.

Por nuk kam ardhë në LDK me luftu brenda LDK-së. Nuk kam ardhë me kriju grupe, ndarje apo dallime mes njerëzve. Përkundrazi. Besoj që sa më shumë njerëz të mirë të ketë LDK-ja, aq më e fortë bëhet ajo. Besoj që LDK-ja, kur është në pushtet, qeveris dhe performon më mirë se çdo parti tjetër në Kosovë”, ka shkruar Sadiku.

Ai ka bërë të ditur se nuk do të përfshihet në garën e brendshme për udhëheqjen e partisë, ndërsa ka kërkuar që deri në përfundimin e saj të mos pyetet se cilën palë e mbështet.

“Tash ka nisë një garë brenda LDK-së, në të cilën unë nuk marr pjesë. Nuk garoj për lidership dhe nuk kam aspirata të tilla. Të paktën jo tash.

Prandaj, deri sa të përfundojë kjo garë, ju lus mos më pyesni rreth kësaj dhe me kënd jam”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Sadiku ka theksuar se do të vazhdojë të flasë për idetë, vizionin, projektet dhe problemet që, sipas tij, duhet të trajtohen për zhvillimin e partisë.

“Por do të vazhdoj me folë për idetë dhe vizionin mbi të cilin besoj se duhet të rritet LDK-ja. Dua me folë për projektet dhe problemet. Për qëllimet dhe gabimet. Për atë që kemi bo mirë, por edhe për atë që duhet ta ndryshojmë.

Sepse LDK-ja nuk rritet duke zgjedhë anë, por duke ndërtu ide, duke pranu gabimet dhe duke ofru zgjidhje”, ka shkruar ai.

Deputeti ka thënë se do ta mbështesë bashkëpunimin me këdo që merr përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë, duke theksuar se do t’i respektojë vendimet e përbashkëta edhe në rastet kur nuk pajtohet me shumicën apo udhëheqjen.

“Jam në LDK. Jam me Kosovën. Kur të përfundojë gara, kushdo që merr përgjegjësinë e udhëheqjes, do ta ketë bashkëpunimin tim. Ashtu siç kam vepru deri tash, do t’i respektoj vendimet e përbashkëta, edhe kur personalisht nuk pajtohem me shumicën apo udhëheqjen.

Sepse unë besoj që partitë dhe shteti ndërtohen me bashkëpunim, jo me përçarje. Me punë, jo me intriga. Me ide, jo me grupe”, ka theksuar Sadiku.

Ai ka bërë të ditur se po vazhdon angazhimin e tij në Kuvend, duke njoftuar se ka dorëzuar 15 amendamente për Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe se është duke punuar edhe në amendamente për ligje të tjera.

Sadiku ka kritikuar qasjen që, sipas tij, e ndan politikën në dy kampe, duke vlerësuar se një mendësi e tillë nuk ndihmon në fitore dhe lidership.

“Dhe krejt në fund, një porosi për ata që mendojnë se politika funksionon me logjikën: ‘Nëse s’je me mu, je me ata’.

Ata që mendojnë kështu janë ende shumë larg fitores dhe lidershipit”, shtoi ai.

Të ngjashme