Presidenti francez Emmanuel Macron u zotua të mërkurën se do të parandalojë përsëritjen e dhunës së fundjavës së kaluar gjatë protestave të planifikuara për ditët në vijim, si dhe i cilësoi si “të marra” dhe “të papranueshme” komentet e disa liderëve të huaj lidhur me trazirat.
Më 17 tetor, Franca u përfshi nga disa prej trazirave urbane më të rënda të viteve të fundit, në margjinat e protestave mbarëkombëtare. Ngjarja tronditi vendin, si për shkak të përmasave të saj, ashtu edhe për shkak të paaftësisë së dukshme të policisë për t’i vënë gjërat nën kontroll.
Sipas Reuters, Macroni deklaroi se të enjten do të takohet me zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës dhe ministra të lartë për të diskutuar mbi krizën.
Ai gjithashtu akuzoi disa liderë të huaj për përhapjen e dezinformatave rreth asaj që kishte ndodhur.
I pyetur nëse e kishte fjalën për Trumpin, Macroni u përgjigj: “Ndër të tjera”, duke shtuar se disa politikanë të huaj po përpiqen të përfitojnë politikisht në kurriz të Francës.