Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar të gabuar, të papranueshme dhe të dëmshme kthimin e tij në Kuvend me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në një intervistë për Ekonomia Online, Latifi, i cili vjen nga radhët e Aleancës, ka thënë se deputetët e kësaj partie e kanë votuar ligjin si në lexim të parë, ashtu edhe në lexim të dytë në Kuvend, me qëllim që të kontribuojnë në kundërshtimin e asaj që e konsiderojnë padrejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Deputetët e Aleancës në Kuvendin e Kosovës e kanë votuar edhe në lexim të parë edhe në lexim të dytë ligjin për plotësim-ndryshimin i cili ka të bëjë me dhomat e specializuara, përkatësisht me Gjykatën Speciale. Me vetëdije të plotë ajo e ka votuar si një kontribut modest që ka të bëjë me kundërshtimin e akgjykimit të gjykatave speciale për ta zgjedhur padrejtësinë që i është bërë bashkëluftëtarëve tanë çlirimtarë”, tha ai.
Latifi ka thënë se është i pakënaqur me vendimin për kthimin e ligjit në Kuvend, duke vlerësuar se kjo qasje nuk i shërben qëllimit për të cilin është mbështetur nisma.
“E në fakt, e ka kthyer presidentja në parlament me kërkesën, me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. E mendoj se është gabim të shkohet te kjo rrugë, edhe ne jemi tërësisht të pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet kjo situatë dhe si po trajtohet ky ligj”, tha ai.
Ai e ka cilësuar situatën zhgënjyese, duke rikujtuar protestat e qytetarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe duke kërkuar që një çështje e tillë të trajtohet me seriozitet.
“Realisht është dëshpuruese, është diçka që neve na jep të drejtë me qenë tërësisht të pakënaqur, edhe fatkeqësisht na jep të drejtë edhe ta cilësojmë si një lojë e cila është e padobishme, e papranueshme dhe e dëmshme në situatën nëpër të cilën po kalojmë, dhe mendoj se është gabim që të trajtohet një situatë, një ligj kaq serioz, që ka qenë kërkesë e qytetarëve që kanë protestuar për 20 ditë rresht e 20 net dhe mendoj se është tepër, tepër gabim kjo qasje, që po e shohim tani”, tha Latifi.
Sipas tij, nëse qëllimi i ligjit ka qenë që t’u ndihmohet ish-krerëve të UÇK-së, atëherë kthimi i tij në Kuvend nuk është mënyra e duhur për të arritur këtë synim.
“Po gabim, pra është gabim. Duhet të jemi seriozë, edhe në qoftë se vërtet përmes këtij ligji ideja, qëllimi dhe përkushtimi ka qenë që t’u ndihmohet bashkëluftëtarëve tanë, krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë kjo nuk është as rruga e duhur, as metoda e duhur, as mënyra e duhur dhe as forma e duhur”, tha ai.
Latifi ka shtuar se çështja nuk duhet të trajtohet në atë mënyrë që, sipas tij, e zhvlerëson përkushtimin e qytetarëve dhe të rinjve që janë solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së.
“Është tepër shqetësuese kjo situatë dhe ne konsiderojmë se nuk duhet të bëhet asnjëherë lojë e ndyrë me gjithë përkushtimin, të gjithë vullnetin që është dëshmuar edhe nga rinia, por edhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës, për sa i takon solidarizimit dhe kundërshtimit të vendimit të padrejtë që është cilësuar i papranueshëm i dhomave të specializuara ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kuvend pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij.
Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhet veçanërisht me dispozitat që kanë të bëjnë me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.
