Arifi e sheh si “dështim të madh të elitës politike” tërheqjen e Ligjit për Specialen

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka kritikuar mënyrën se si Ligji për Dhomat e Specializuara është kthyer në Kuvend për shqyrtim nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, duke thënë se kjo e fundit rrezikon pasoja të mëdha, teksa tërheqjen e ligjit e sheh si “dështim të madh të elitës politike”.

Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se, ndonëse nisma për ligjin nuk ka qenë përgjegjësi vetëm e PDK-së, kjo parti e ka marrë udhëheqjen e saj.

Në këndvështrimin e tij, votimi i ligjit ka ndodhur në kushte jo normale, çka, siç është shprehur ai, dëshmon mungesën e unitetit kombëtar për një çështje kombëtare.

“Po, mënyra e parë është bërë në formën e duhur, edhe pse nuk ka qenë përgjegjësi vetëm e Partisë Demokratike, por ata e morën, si me thënë, në një farë mënyre bajrakun dhe në rregull është. Edhe votimi i ligjit ndodhi jo në forma, po themi, në kushte normale; ishin kushte jo normale. Kjo tregon që s’ka pasur, po themi, unitet kombëtar për një çështje kombëtare. Edhe kjo është një dështim i madh i elitës politike”, tha Arifi.

Për Arifin, kthimi i ligjit në Kuvend për shqyrtim është bërë në mënyrë të papjekur dhe të paditur.

“Dhe prapë, mënyra se si u tërhoq ligji është për mua, për botëkuptimin tim, edhe nëse ka ndonjë marrëveshje për ndonjë koalicion, sepse sinjalet po na dërgojnë aty, prapë është bërë në mënyrë të papjekur dhe të paditur. Pra, do të duhej që minimalisht ta kishim një transparencë më të madhe pse po tërhiqet, cilat janë arsyet dhe çka po dëshiron të arrihet. Pra, janë disa gjëra që do të duhej t’i bënim, se nëse nuk arrihet qëllimi për të cilin ligji tërhiqet, atëherë PDK-ja shkon drejt një problemi shumë më të madh dhe të paparashikueshëm”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, ky rast mund të shfrytëzohet edhe si mundësi për të ngritur çështjen e Gjykatës Speciale në raportet diplomatike me Bashkimin Evropian dhe në dialogun me Serbinë.

“Por, është një moment i mirë që kjo tërheqje e këtij ligji a mund të ketë efekte diplomatike? Pra, a mund ta kushtëzojmë tash BE-në që nuk do ta zbatojmë asnjë marrëveshje dhe as dialogu s’mund të fillojë me Serbinë, nëse nuk kemi, nëse nuk zhbëhet, po themi, Gjykata Speciale? Pra, tash duhet të shkohet, edhe loja duhet të bëhet më e ashpër”, është shprehur Arifi.

Profesori Arifi ka vënë në pikëpyetje edhe nëse aktorët e njëjtë politikë që kanë qenë të përfshirë deri më tani mund ta ndjekin një qasje më të ashpër, duke theksuar se mungesa e transparencës përbën shenjë papjekurie politike dhe mosrespektimi ndaj protestuesve.

“Tash, a janë këta aktorë të njëjtë? Dhe a mund ta bëjnë lojën më të ashpër aktorët e njëjtë? Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe. Prandaj thashë, mungesa e transparencës na ka treguar papjekuri dhe një farë lloj mosrespekti ndaj gjithë atyre protestuesve për 21 ditë, krejt çka mund ta bëjnë, të kërkojnë mirëkuptim dhe të japin shpjegime konkrete, sepse unë mendoj që ndershmëria në këtë rast e ndihmon më shumë PDK-në, sesa në çdo gjë që mund të jetë jo e sinqertë në këtë rast”, potencoi ai.

Duke folur për çështjen e ligjit, profesori Arifi ka thënë se çdo ligj mund të ketë mangësi dhe devijime, duke përmendur edhe Kushtetutën e Kosovës.

“Shikoni, unë kam studiuar në Perëndim dhe një profesor imi i drejtësisë ndërkombëtare ka thënë një çështje shumë të thjeshtë: ‘Çdo ligj është sikur një çebe, sa herë të shkund, ka pluhur.’ Pra, nëse shkojmë nga kjo logjikë, edhe Kushtetuta e Kosovës s’ka probleme, ka devijime. E shikoni? Pra, nuk shikohet kjo çështje. Ajo ka qenë më shumë vendim politik për të arritur te një efekt juridik, që shumë më i zbehtë, por efekti politik dhe diplomatik është treguar që kjo është shumë, shumë efektiv, sepse e gjithë BE-ja në një farë mënyre u ngrit në këmbë për të diskutuar tash për çështjen e Dhomave të Specializuara, që më herët s’ka qenë problem për BE-në, edhe pse ka pasur shkelje në të gjitha segmentet, edhe ligjore, edhe të drejtave të njeriut”, potencoi Arifi.

Tutje, ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, nëse ligji ka pasur ndonjë mangësi, ajo mund të korrigjohej edhe në fazën e dekretimit. Arifi ka ngritur gjithashtu dyshime se tërheqja mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje politike për krijimin e një koalicioni ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ka theksuar se kjo mbetet e pakonfirmuar.

“Pra, kjo është efekti i atij ligji. Ai ligj, nëse ka pasur ndonjë defekt eventual, do të mund të korrigjohej edhe në momentin kur dekretohet, pra nuk do të ketë ndonjë problem. Mendoj që kjo më shumë është një marrëveshje politike. Thashë, synimi mund të jetë koalicioni PDK-Vetëvendosje, por kjo mbetet për t’u parë se për cilat marrëveshje dhe për cilat pika janë dakorduar, por mos transparenca mund ta dëmtojë PDK-në shumë më shumë sesa partinë në pushtet”, ka thënë ai.

Arifi ka vlerësuar se tërheqja e ligjit e ka dobësuar mundësinë që ai të ketë efektin e synuar, duke e cilësuar atë si një nismë që, sipas tij, tashmë ka humbur efektivitetin.

“Pikërisht aty e potencova. Pasi ky ligj do të rrëzohet, për mua ky ligj ka vdekje klinike, edhe nëse bëhet, do të jetë shumë i zbehtë dhe pa efekt, por tash është momenti i duhur që dialogu të kushtëzohet. S’ka më dialog me Serbinë, nëse nuk qartësohet çështja e Gjykatës Speciale. Dhe marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të zbatohen”, është shprehur ai.

Sipas profesorit, mbetet të shihet nëse tërheqja e ligjit është rezultat i një strategjie diplomatike apo i interesave personale. Ai ka theksuar se, në mungesë të informatave, burimeve dhe dokumenteve zyrtare, nuk mund të japë një përfundim të prerë për arsyet e këtij vendimi.

“Pra, tash do të varet sa është e fortë dhe e fuqishme edhe Partia Demokratike, por edhe Qeveria e Kosovës, sepse një tërheqje e tillë tregon që ka kthim mbrapa. Po tash ky kthim mbrapa është bërë në mënyrë diplomatike strategjike apo është bërë për nevoja personale, këtë nuk mund ta di, se s’ka informata, s’ka burime, s’ka dokumente zyrtare. Por atë çka mund ta parashikojmë, atë çka mund t’ia kërkojmë tash edhe PDK-së, edhe Qeverisë, është që, nëse nuk ka tash këmbëngulje që të zhbëhet Gjykata Speciale, atëherë është dështim i pafalshëm i krejt kombit shqiptar”, shtoi ai.

Në përfundim, Arifi ka përsëritur kërkesën e tij që të mos ketë negociata me Serbinë dhe zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare pa u qartësuar çështja e Gjykatës Speciale, teksa ka kërkuar nga PDK-ja dhe Qeveria që të tregojnë nëse ekziston një marrëveshje konkrete për këtë çështje, duke theksuar se, në të kundërtën, tërheqja e ligjit do të ishte e kotë.

“Po, edhe njëherë e potencova: s’ka negociata me Serbinë, s’ka marrëveshje, implementim të marrëveshjeve ndërkombëtare pa u qartësuar çështja e Gjykatës Speciale, pikë! Dhe nëse arrijmë në këtë pikë, atëherë tërheqja e ligjit është strategjikisht mirë, por ne duhet të presim: a do të ndodhë kjo?

Prandaj, presioni dhe kërkesa ime është kjo: pasi që ligji është tërhequr në mënyrë të turpshme, atëherë duhet ta bëni një, po themi, obligim patriotik tash e tutje. Kjo normalisht varet vetëm nga Partia Demokratike, por po besoj që ka një marrëveshje me Vetëvendosjen, të paktën po dëshiroj të besoj që ka marrëveshje, sepse nuk e di. Por, nëse nuk ka marrëveshje mbi këtë pikë që të kushtëzohet Bashkimi Evropian, atëherë realisht është gjithçka e kotë dhe e turpshme në mënyrën se si është bërë”, ka përfunduar Arifi.

Të ngjashme