Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka ngritur shqetësimin për nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve të auditimit, duke bërë të ditur se vetëm 36 për qind e rekomandimeve të dhëna për vitin 2024 janë zbatuar. Ajo ka theksuar edhe mangësitë e evidentuara në arsim, sigurinë e nxënësve, ndërtimet në Ferizaj, shërbimet publike dhe sistemet e teknologjisë së informacionit, raporton Eknomia Online.
Spanca i bëri këto deklarata në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku prezantoi Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Gjatë prezantimit, ajo tha se auditimet e performancës kanë identifikuar probleme në disa fusha të rëndësishme të shërbimeve publike, duke vënë në pah nevojën për përmirësim të zbatimit të politikave dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
“Të nderuar deputetë, një pjesë e rëndësishme e punës sonë gjatë këtij sezoni kanë qenë edhe auditimet e performancës, përmes të cilave kemi vlerësuar nëse programet, projektet dhe shërbimet publike po i arrijnë rezultatet e synuara. Këto auditime kanë mbuluar fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, sigurinë e nxënësve, mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta, zhvillimin urban, shërbimet publike, energjinë, pronat dhe teknologjinë e informacionit”, deklaroi Spanca.
Ajo theksoi se rezultatet e auditimeve tregojnë se institucionet publike vazhdojnë të përballen me sfida në zbatimin e politikave dhe ofrimin e shërbimeve cilësore.
“Rezultatet tregojnë se institucionet publike ende përballen me sfida në zbatimin e politikave dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Siguria e nxënësve në shkollat publike dhe mbështetja e nxënësve me nevoja të veçanta në arsimin fillor janë dy fusha ku auditimi i performancës ka evidentuar nevojën për mekanizma më të mirë të sigurisë, si dhe koordinim më të madh ndërmjet institucioneve dhe mbështetje më efektive”, tha ajo.
Në fushën e zhvillimit urban dhe infrastrukturës, Spanca tha se janë identifikuar probleme që kërkojnë përmirësim të mbikëqyrjes, planifikimit dhe zbatimit të procedurave, përfshirë ato që lidhen me lejet e ndërtimit, menaxhimin e projekteve dhe realizimin e kontratave.
Ajo veçoi auditimin e procesit të ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt, ku, sipas saj, janë evidentuar mangësi serioze në dhënien e lejeve të ndërtimit.
“Në fushën e zhvillimit urban dhe infrastrukturës janë identifikuar çështje që kërkojnë përmirësim të mbikëqyrjes, planifikimit dhe zbatimit të procedurave për leje ndërtimore, menaxhimit të projekteve dhe realizimin e kontratave. Në auditimin e procesit të ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt janë evidentuar mangësi serioze në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe nevojën për kontrolle dhe mbikëqyrje më të efektshme, duke filluar nga procesi i lejeve, ndërtimit dhe certifikimet”, theksoi Spanca.
Ajo foli edhe për mangësitë në shërbimet publike, duke përmendur ngrohjen qendrore nga “Termokos”, grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, si dhe fusha të tjera që lidhen me energjinë, infrastrukturën rrugore dhe sistemet e teknologjisë së informacionit.
“Në fushën e shërbimeve publike, auditimet për ngrohjen qendrore në Termokos dhe grumbullimin e mbeturinave të amvisërisë në Prishtinë, së bashku me auditimet e tjera në energji, infrastrukturë, rrugë dhe sisteme të IT-së, po ashtu kanë identifikuar fusha ku kërkohet përmirësim më tutje”, deklaroi ajo.
Sipas Spancës, auditimet në teknologjinë e informacionit kanë evidentuar mangësi në integrimin e sistemeve, kontrollin e aplikacioneve, sigurinë e informacionit dhe menaxhimin e qasjes në të dhëna.
Një nga shqetësimet kryesore të paraqitura nga auditorja e përgjithshme ishte niveli i zbatimit të rekomandimeve të dhëna për institucionet publike.
Ajo bëri të ditur se, ndonëse gjatë vitit 2025 janë dhënë rekomandime për korrigjimin e mangësive të identifikuara, zbatimi i rekomandimeve të vitit paraprak mbetet sfidë.
“Për korrigjimin e mangësive të identifikuara gjatë vitit 2025 kemi dhënë gjithsej 1000 mijë rekomandimesh. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se nga rekomandimet e dhëna për vitin 2024 janë zbatuar vetëm 36 për qind. Ky nivel tregon se rekomandimet e auditimit ende nuk po marrin vëmendjen dhe veprimin e nevojshëm nga institucionet përgjegjëse”, tha Spanca.
Ajo shtoi se një pjesë e konsiderueshme e problemeve të identifikuara nga auditimet vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, pavarësisht hapave pozitivë që kanë ndërmarrë disa organizata buxhetore.
“Zbatimi i rekomandimeve mbetet ndër sfidat kryesore të identifikuara. Kjo gjendje tregon se një pjesë e konsiderueshme e mangësive të evidentuara vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Më duhet të theksoj që, pavarësisht nivelit të kënaqshëm të zbatimit të rekomandimeve të auditimit, organizatat buxhetore kanë ndërmarrë edhe hapa pozitivë”, u shpreh ajo.