Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë ndaj Jeton Prenajt, drejtor dhe person përgjegjës i kompanisë “Med Plus” SH.P.K., si dhe ndaj kësaj kompanie, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, në një tender të Ministrisë së Shëndetësisë, ku ofertat për dy lote kapnin vlerën e mbi 513 mijë eurove.
Rasti lidhet me një tender të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale, për të cilin Gazeta Insajderi kishte raportuar në janar të vitit 2024, duke ngritur çështjen e një certifikate ISO që dyshohej se ishte paraqitur me afat të ndryshuar të vlefshmërisë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Prenaj, në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë “Med Plus” SH.P.K., dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë në ofertën e dorëzuar në aktivitetin e prokurimit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.
“…më datë 19 Janar 2024, i pandehuri J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë ‘’M… P.. ‘’ SH.P.K., duke vepruar në emër dhe në interes të kësaj shoqërie, gjatë paraqitjes së ofertës në aktivitetin e prokurimit me titull ‘’Furnizim me material shpenzues medicinal nga LE (Lista Esenciale)’’ të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë”, thuhet në njoftim