AKB-ja paralajmëron: 500 vende pune në rrezik në fabrikën “Vita”

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur shqetësimin për situatën në fabrikën “Vita”, ku rreth 500 vende pune të përhershme rrezikojnë të humbin për shkak të vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK).

Në reagimin e saj, AKB-ja ka kundërshtuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës nga prodhuesit vendorë në nënproduktet e qumështit, ndërsa, sipas saj, produkteve të importuara u lejohet përdorimi i tij.

“Është e papranueshme që prodhuesve vendorë t’u ndalohet përdorimi i vajit të palmës në nënproduktet e qumështit, ndërsa produkteve të importuara t’u lejohet kjo! Pse dy standarde për të njëjtin treg? Pse prodhuesi vendor penalizohet, ndërsa importi favorizohet? AKB kërkon nga Ministria e Bujqësisë dhe AVUK-u reagim të menjëhershëm, trajtim të barabartë dhe zgjidhje urgjente, për të mos lejuar që vendimet institucionale të rrezikojnë qindra vende pune dhe prodhimin vendor”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Sipas kësaj organizate, siguria ushqimore duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha produktet, si për ato vendore, ashtu edhe për ato të importuara.

AKB-ja ka paralajmëruar gjithashtu se fabrika “Vita” rrezikon të zhvendoset në vende të tjera të rajonit dhe më tej, në Turqi. “Kjo fabrikë rrezikon të ikë në dy vende të tjera në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Turqi”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Të ngjashme