Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara.
Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se ky është zotimi i PDK-së, duke theksuar se kërkesa për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk nënkupton tërheqje nga ai.
“Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se i kupton shqetësimet e atyre që e kanë mbështetur ligjin, duke shtuar se PDK-ja i mirëpret kritikat e bazuara.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam”, ka deklaruar ajo.
Sipas Çitakut, si sponsorizuese e ligjit, PDK-ja i ka dhënë procesit edhe katër javë kohë për t’iu përgjigjur pikëpyetjeve të ngritura dhe për të forcuar bazën juridike të tij.
“Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dham procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se brenda PDK-së ekziston unitet sa i përket jetësimit të këtij ligji.
“Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur”, ka thënë ajo.
Në fund, Çitaku u është drejtuar qytetarëve që protestuan, mbështetësve të PDK-së dhe të gjithë atyre që e mbështetën nismën, duke përsëritur se partia do t’i qëndrojë zotimit të saj.
“Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka përfunduar Çitaku.