Tahiri kërkon interpretim ligjor për ligjin për Specialen, Qorrolli pret procedimin nga Haxhiu

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion që të sqarojë përmes një interpretimi ligjor procedurën që duhet ndjekur pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara nga presidentja, duke kërkuar që të mos përsëritet një situatë e zvarritjes së trajtimit të tij, raporton Ekonomia Online.

Tahiri ka kërkuar që Zyra Ligjore të japë sqarime për mënyrën se si duhet të trajtohet ligji.

“E dyta, siç jeni në dijeni, presidentja e ka kthyer ligjin për Dhomat e Specializuara. Nuk e pranoj një situatë në këtë komision e cila na përsëritet sikur në kohën kur është dërguar prej sponsorizuesit tek qeveria dhe 2 javë ditë nuk ka pasur përgjigje. Kërkoj, për shkak se ne jemi Komisioni për Legjislacionin, ne jemi përgjegjës që duhet ta trajtojmë këtë çështje. Kërkoj prej jush që dilemat publike që ndërlidhen se sa, qysh, tek duhet të trajtohet ky ligj, të na saktësoni përmes një interpretimi ligjor që duhet me bërë Zyra Ligjore. Po kërkoj prej jush që mos ta përsëritet situata kur 2 javë ditë Qeveria e Kosovës në ditën e fundit e kthen ligjin dhe me 6 na bimë në presion. Nuk duhet ashtu menduar”, tha ai.

Tahiri ka kërkuar gjithashtu që Komisioni për Legjislacion ta ftojë për raportim Avokatin e Popullit lidhur me raportin e publikuar, i cili, sipas tij, trajton shkelje serioze nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“E kam adresuar si kërkesë pranë komisionit me e ftuar për raportim Avokatin e Popullit, i cili e ka prezantuar një raport i cili tani më është publik, e që ndërlidhet me shkelje bukur serioze të Dhomave të Specializuara në Hagë. Kërkoj nga ju që të caktoni një datë dhe të na lajmëroni për me e ftuar Avokatin e Popullit. Kjo është e para”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, është përgjigjur se për kërkesën e parë do të koordinohet me kryetarin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ndërsa për trajtimin e ligjit do të presin procedimin zyrtar nga kryetarja e Kuvendit.

“Sa i takon pikës së parë, unë kam do ta kem koordinimin me kryetarin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe shumë shpejt do ta adresojmë, sepse kemi përfshirë. Për sa i takon pjesës së dytë, zhvillimit të djeshëm, ne presim ngarkimin nga kryetarja e Kuvendit sipas detyrës zyrtare dhe do të merremi me qysh e kemi edhe detyrë. Me respektim të plotë të Kushtetutës dhe komplet ligjeve, Rregullores së Punës, të cilat merren me një rast të tillë. Për këtë jeni të sigurt, e kemi, do të jemi bashkë këtu dhe do ta trajtojmë. Por na presim ngarkesën, ngarkimin nga Komisioni i Përhershëm për Legjislacion nga ana e kryetares së Kuvendit”, shtoi.

Të ngjashme