Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka bërë thirrje Qeverisë që në buxhetin e vitit 2027 të mos ketë dallime në ndarjen e mjeteve për komunat nga ministritë e linjës, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjitha komunat.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ndarjet buxhetore aktuale paraqesin dallime të mëdha ndërmjet komunave, duke përmendur se në disa raste ndarja për kokë banori arrin rreth 600 euro, ndërsa në komuna të tjera sillet nga 30 deri në 70 euro.
Ibrahimi ka theksuar se komunat tashmë i kanë miratuar buxhetet e tyre dhe i kanë dërguar në nivelin qendror, ndërsa një nga sfidat me të cilat përballen mbetet edhe barra financiare që paraqesin kontratat kolektive.
“Po, në bazë të informatave që i kemi, komunat i kanë miratuar buxhetet komunale. Domethënë, prioritetet komunale janë të vendosura në buxhetet komunale, të cilat janë dërguar në nivelin qendror. E tash qeveria i miraton dhe pastaj i propozon në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Normal, kontrata kolektive është një ndër barrat kryesore, që komunat ende po sfidohen. Po shpresojmë që niveli qendror do ta gjejë një zgjidhje adekuate, e cila nuk ua merr mjetet financiare komunave padrejtësisht, por gjithashtu edhe ndarjen e drejtë të mjeteve financiare nga ministritë e linjës kundrejt komunave”, tha ai.
Ai ka kërkuar që gjatë përgatitjes së buxhetit për vitin e ardhshëm të shmangen dallimet në ndarjen e mjeteve dhe që vendimet e ministrive të linjës të bazohen në kritere të barabarta për komunat.
“Sepse shumica absolute e kryetarëve vlerësojnë që ministritë e linjës janë duke bërë hile në ndarjet buxhetore të tyre nëpër komunat e Republikës së Kosovës, duke i favorizuar në baza politike dhe në baza etnike dhe bazuar në këto argumente, neve shpresojmë që niveli qendror do të reflektojë dhe këto pabarazi në ndarjen buxhetore nga ministritë e linjës do të eliminohen në mënyrë që të gjitha komunat të përfitojnë në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe në mënyrë absolutisht ligjore”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai theksoi se dallimet në ndarjet buxhetore janë të mëdha, duke përmendur se një komunë këtë vit ka përfituar rreth 600 euro për kokë banori nga ministritë e linjës, ndërsa disa të tjera vetëm 30, 50 apo 70 euro.
“Ka shkaktuar jashtëzakonisht problem, sepse kemi pasur një diskrepancë të madhe në ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës kundrejt komunave. Kemi pasur, këtë vit, një komunë e cila ka përfituar nga ministritë e linjës rreth 600 euro për kokë banori dhe kemi pasur komuna të tjera të cilat kanë përfituar 50, 30, 70 euro për kokë banori, dhe po besojmë që niveli qendror duhet t’i marrë parasysh këto argumente, t’i adresojë në mënyrë të drejtë, në mënyrë që komunat në të ardhmen të kenë ndarje të drejta buxhetore nga ministritë e linjës”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 15 tetor, ka deklaruar se Qeveria ka afat deri më 31 tetor për ta votuar buxhetin për vitin 2027.
