Policia jep detaje për mashtrimin në “Call Center”, arrestohen 6 kosovarë dhe 3 gjermanë

Prishtinë | 24 Tet 2026 | 09:08 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e mashtrimit përmes qendrave ilegale të thirrjeve (Call Center) në Prishtinë, ku viktima dyshohet se ishin shtetas suedezë, të cilëve u janë ofruar investime në kriptovaluta.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në këtë rast janë arrestuar nëntë persona, gjashtë shtetas kosovarë dhe tre shtetas gjermanë, të cilët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë. Të dyshuarit, duke vepruar si grup, dyshohet se përmes paraqitjes së rreme të fakteve i kanë bindur shtetasit suedezë të investojnë në kriptovaluta, përfshirë Bitcoin-in.

Sipas Policisë, pas kryerjes së investimeve, paratë e viktimave janë transferuar në llogari të tjera të panjohura, duke u shkaktuar atyre dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë operacionit, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku janë gjetur dhe konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të jashtme për ruajtjen e të dhënave (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.

“Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.

Të ngjashme