Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka përmbyllur sot turneun sportiv tradicional kushtuar 26 zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës zyrtare, të cilët kujtohen me nderim si heronj të këtij institucionit.
Përmes një postimi në Facebook, Sindikata tha se ky aktivitet ndërthur sportin, bashkëpunimin dhe respektin për sakrificën e zyrtarëve policorë të rënë në detyrë.
“Turneu, i cili filloi më 23 tetor 2026, përfshiu garat në futboll, volejboll, shah dhe shenjëtari. Gjatë zhvillimit të garave, ekipet dhe pjesëmarrësit dëshmuan angazhim, përkushtim dhe frymë të lartë sportive, duke e shndërruar këtë ngjarje në një aktivitet që ndërthur sportin, bashkëpunimin dhe respektin për sakrificën e zyrtarëve policorë të rënë në detyrë”, shkruhet në njoftim.
Në kuadër të garave të futbollit, Rison Avdyli u shpall lojtari më i mirë, ndërsa Admir Vrevic, u vlerësua si portieri më i mirë i turneut, kurse lojtari me ferplay, Mentor Morina.
Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në prani të përfaqësuesve të institucioneve, sindikatave, familjarëve të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, si dhe përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës.
Gjatë ceremonisë, Sindikata e Policisë së Kosovës ndau mirënjohje për organizatorët, gjyqtarët dhe sportistët e dalluar, ndërsa fituesit u nderuan me medalje dhe kupa për tri vendet e para në disiplinat përkatëse.