Letonia do të Mirëpresë Edicionin e 23-të të Eurovision Young Musicians

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Familja e madhe e Eurovisionit po përgatitet për një tjetër ngjarje të rëndësishme muzikore. Konkursi Evropian i Muzikantëve të Rinj (Eurovision Young Musicians) do të rikthehet zyrtarisht me edicionin e tij të 23-të më 10 korrik 2027.

Transmetuesi publik leton LSM do të bëjë bashkë instrumentistët më të mirë të muzikës klasike nga e gjithë Evropa në sallën presticioze “Great Amber Hall” në qytetin e Liepāja-s. Kjo do të shënojë herën e parë në historinë e këtij spektakli që ai zhvillohet në dy vite radhazi, duke i dhënë një hapësirë edhe më të madhe promovimit të brezit të ri të muzikantëve.

Që nga themelimi i tij në vitin 1982, ky konkurs ka shërbyer si një urë lidhëse dhe një pikë kycë në karrierën ndërkombëtare të instrumentistëve të moshave nga 12 deri në 21 vjeç. Edicioni i fundit, i 22-ti me radhë, u zhvillua më 6 qershor 2026 në Yerevan të Armenisë, ku morën pjesë 11 shtete. Në atë mbrëmje, trofeun kryesor e rrëmbeu fizharmonisti i ri nga Polonia, Michał Stochel, ndërsa vendi i dytë i takoi marimbistes letone Sonja Misiņa dhe vendi i tretë flautistes nga Armenia, Elen Virabyan.

Tashmë vëmendja zhvendoset drejt qytetit bregdetar të Liepāja-s, i cili përveçse njihet për traditën e tij të pasur kulturore dhe arkitekturën historike, në vitin 2027 do të mbajë edhe titullin e rëndësishëm si Kryeqyteti Evropian i Kulturës. Salla “Great Amber Hall”, e njohur për akustikën e saj të jashtëzakonshme dhe si shtëpia e orkestrës më të vjetër simfonike në Baltik, do të transformohet në qendrën evropiane të muzikës klasike për të mirëpritur yjet e të ardhmes./KultPlus.com

Të ngjashme