Përplasje në Komisionin për Ekonomi për mosraportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Me debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës është përcjellë mbledhja e sotme e Komisionit për Ekonomi, si shkak i mungesës së kryetarës së Autoritet të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi e cila ishte ftuar për të diksutuar lidhur me gjendjen në këtë institucion, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komisionit nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa, deklaroi se Binaku-Isufi fillimisht e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhje, por më pas e kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë, pa dhënë ndonjë aryetim.

Mustafa tha se komisioni kishte pranuar gjatë ditëve të fundit raporte nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, të cilët, sipas tij, ngrinin shqetësime për gjendjen në këtë institucion.

Ai pretendoi se që nga maji i vitit 2025, kryetarja nuk kishte ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, ndonëse, sipas tij, ky organ kishte kuorumin e nevojshëm për të zhvilluar punën.

“Pa dhënë ndonjë arsyetim konkret, njofton se nuk mund të vijë për raportim në komision. Sidoqoftë, duke pasur parasysh raportet që ne si komision kemi pranuar gjatë këtyre ditëve nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me situatën shqetësuese që po mbizotëron në këtë institucion.Zonja Neime Binaku-Isufi, që nga muaji maj i vitit 2025, nuk ka ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, që është organ kolegjial i cili menaxhon me punën e autoritetit. Pavarësisht se komisioni ka kuorumin e mjaftueshëm me anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Pra, ka kuorum, por mbledhjet nuk ftohen diku për një vit e gjysmë”, theksoi ai.

Derisa, po vazhdonin diskutimet, Mustafa u përfshi në përplasje verbale me deputetë të mazhorancës, duke kërkuar që të mos ndërpritej fjala e tij.

“Mos më ndërpritni, e merr fjalën. Jemi në rend të ditës dhe, nëse pajtohemi ta mbajmë këtë temë si pikë të rendit të ditës, atëherë e ndërpres diskutimin. A jeni për ngut? Ju mos më ndërpreni dhe pastaj e merrni fjalën. Pse po ju pengon? Unë e di çka bëj”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, kërkoi që diskutimi të zhvillohej në përputhje me rregullat e punës së komisionit.

Ai tha se problemet e evidentuara në materialet e dërguara nga Autoriteti i Konkurrencës ishin serioze dhe duhej të trajtoheshin.

“Duhet të krijojmë një kulturë të punës në komision dhe të mos fillojmë elaborimin e pikave nëse jemi apo nuk jemi dakord që të mbahen në rendin e ditës. Patjetër që problemet në Autoritetin e Konkurrencës, në materialet që i kanë dërguar, janë serioze dhe duhet të trajtohen nga komisioni. E kam parë emailin që ka dërguar dhe ajo thotë për arsye objektive. Pra, ka qenë e pamundur që ajo të vijë dhe nuk dua ta arsyetoj, dhe nuk kemi çka të fshehim”, shtoi ai.

Pavarësisht, mungesës së kryetares, deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku tha se kjo çështje duhet të diskutohet.

Sipas tij, mosprania e Binaku-Isufit nuk duhej ta pengonte komisionin të shqyrtonte shqetësimet e ngritura për institucionin.

“Është mirë të diskutohet një temë pa marrë parasysh a është personi prezent apo nuk është. Kjo nuk e ndalon bisedën në këtë komision, mosprania e saj. Ajo është aty përmes Kuvendit dhe ne jemi këtu për ta mbikëqyrur punën. Biseda për kaq shumë skandale që kishin ndodhur së dy vjetësh është e shëndetshme për shtetin”, shtoi ai.

Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kërkoi që gjendja në Autoritetin e Konkurrencës të mbetej pjesë e rendit të ditës.

Pavarësisht debateve dhe mospajtimeve mes anëtarëve të komisionit, u arrit pajtueshmëria që kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufit, t’i dërgohet sërish ftesë për javën e ardhshme, me kërkesën që të raportojë para Komisionit për Ekonomi lidhur me gjendjen dhe funksionimin e këtij institucioni.

Të ngjashme