AIP kërkon mbrojtjen e fëmijës së Arlindës: Mjegulloni fytyrën dhe rishikoni pamjet e publikuara

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe platformave online që, gjatë raportimit për rastin e vrasjes së ditëve të fundit, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fëmijës së mitur të viktimës.

“Agjencia ka vërejtur se disa media kanë publikuar pamje nga varrimi i të ndjerës, në të cilat fëmija shihet qartë dhe mund të identifikohet. Fytyra e një personi është e dhënë personale, ndërsa kur bëhet fjalë për fëmijë, ajo gëzon mbrojtje të shtuar sipas ligjit. Agjencia fton mediat që të zbatojnë parimin e minimizimit të të dhënave, duke mjegulluar fytyrën e fëmijës dhe duke mos publikuar detaje që mund të çojnë në identifikimin e tij, si dhe t’i rishikojnë materialet e publikuara tashmë” – kanë shkruar ata.

Gjithashtu, Agjencia u ka kujtuar mediave detyrimin për respektimin e Kodit të Etikës të KMShK-së dhe Kodit të Sjelljes të KPM-së, të cilët kërkojnë kujdes të veçantë në raportimin për fëmijët dhe viktimat e dhunës.

Gjithashtu, ata vlerësuan rolin e mediave në informimin e publikut dhe në ngritjen e vetëdijes për dhunën në familje.

Megjithatë, liria e shprehjes dhe e drejta e publikut për t’u informuar duhet të ushtrohen pa i cenuar të drejtat e fëmijëve, të cilët janë ndër më të prekurit në rastet e tilla dhe thanë se Agjencia e Informimit do të vazhdojë ta përcjellë raportimin për këtë rast dhe, sipas nevojës, do të veprojë në kuadër të kompetencave të saj ligjore.

Të ngjashme