Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën 20-vjeçarit shqiptar R.A. në Valtopina të Italisë. I riu, i cili banonte në Trevi, ishte duke punuar në asfaltimin e rrugës Santa Cristina, kur ndodhi aksidenti fatal, transmeton albinfo.ch.
Sipas mediave italiane, dyshohet se mjeti i rëndë i asfaltimit që po drejtonte i riu është përmbysur, duke e zënë poshtë. Shkaqet që çuan në aksident ende nuk janë bërë të ditura.
Kolegët e tij kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit, por, pavarësisht ndërhyrjes, 20-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas ngjarjes, karabinierët kanë nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan në përmbysjen e mjetit të rëndë.
Punimet në rrugën Santa Cristina ishin ndërmarrë nga Bashkia e Valtopinës në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe i ishin besuar një kompanie të specializuar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, ka shprehur ngushëllimet për familjen e të riut, duke e cilësuar humbjen e tij si një tragjedi të rëndë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit që i mori jetën të riut shqiptar, në moshën vetëm 20-vjeçare.