Një 20-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë. Policia gjithashtu bën me dije se janë proceduar penalisht edhe dy familjarë të të riut.
Arrestimi i të riut erdhi pasi ai u kap duke qarkulluar në automjet me armë dhe municion luftarak. I riu u ndalua nga policia në rrugën “Kastriotët” për kontroll dhe më pas iu zbulua arma dhe municioni ushtarak të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës material.
Dy familjarët e të riut u proceduan pasi gjatë kontrollit të banesës kundërshtuan punonjësit e policisë.
“Tiranë/ Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.
Procedohen penalisht 2 familjarët e 20-vjeçarit, pasi kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë kontrollit të banesës. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe municion.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara, në rrugën “Kastriotët” kanë ndaluar për kontroll automjetin me të cilin udhëtonte shtetasi S. D, 20 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 20 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, shtetasit A. D, 51 vjeç, dhe L. D, 23 vjeç, (familjarë të 20-vjeçarit), u proceduan në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit të banesës kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për të penguar kryerjen e kontrollit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.