Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni të larta ushtarake në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, gjeneralmajorin Osborn, agjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.
Me këtë rast Jashari i ndau gjeneralit Osborn Medaljen për shërbim vetëmohues, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij në forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
“Partneriteti ndërmjet FSK-së dhe GKA-së, i ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, mbetet një dëshmi e fuqishme e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova dhe SHBA – partneritet i përhershëm!” thuhet në njoftim.