Vrasja e Arlinda Zekajt, Berisha dyshon se vrasja ishte planifikuar gjatë ndalimit të bashkëshortit

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 21:47 | Nga Ekonomia Online

Avokati Besnik Berisha, përfaqësues ligjor i familjes së të ndjerës Arlinda Zekaj, ka deklaruar se ekzistojnë prova që, sipas tij, ngrenë dyshime për përfshirjen e së paku dy anëtarëve të familjes së bashkëshortit të saj në vrasje.

Berisha ka bërë të ditur se gjatë ditës janë intervistuar familjarë dhe dëshmitarë të rastit, përfshirë edhe nënën e dy personave që ai i konsideron të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.

Ai ka pretenduar se dy vëllezërit kanë pasur rol në vrasjen e Arlindës, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes, sipas tij, janë përdorur për të përshkallëzuar situatën dhe për të krijuar rrethanat që i paraprinë krimit.

“Publiku mund të dijë që ka prova të mjaftueshme që forcojnë jo vetëm dyshimin e arsyeshëm, por dyshimin e bazuar se së paku dy anëtarë të familjes, përkatësisht dy vëllezër, janë të përfshirë në vrasjen e tashmë të ndjerës, Arlinda Zekaj”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se nuk mund të thotë nëse nëna e dy vëllezërve ka qenë në dijeni për atë që, sipas tij, kishin planifikuar djemtë e saj, por pretendoi se anëtarë të tjerë të familjes kishin kontribuar në krijimin e një situate të rënduar për viktimën.

“Publiku mund të dijë që ka prova të mjaftushme që forcojnë jo vetëm dyshimin e arsyeshëm por dyshimin e bazuar se së paku dy anëtarë të familjës, përkatësisht dy vëllezër janë të përfshirë në vrasjen e tashmë të ndjerës, Arlinda Zekaj. Se pjesa tjetër e familjës është përdorë për të acaru situatën, është sjellë nga Deçani në shtëpinë e saj jo sepse ishin duke jetu nën një kulm, jo sepse kishin kontribu në pasurinë e përbashkët, jo se kishin hise në atë shtëpi apo kishin jetu më parë në bashkësi. Janë ardhë për të dëbu një nënë, janë ardh për t’i asistu një njeri në distancë për të kry një krim dhe janë ardh për të qenë ata që kur të ndodh kjo që ka ndodh të mbulojnë në mënyrën më të trishtë të mundshme. Nuk mund të  them që edhe nëna e djemve e ka ditë këtë marri që do të bëjnë djemtë e saj, por kanë kontribu në një situatë jo vetëm që e ka marrë një jetë atë natë. Secili dëshmitarë që ka qenë tek familja është intervistu”, u shpreh Berisha.

Berisha foli edhe për rrethanat në të cilat ndodhej bashkëshorti i Arlindës, Jeton Sylaj, në kohën e vrasjes. Sipas tij, në stacionin policor kishin qenë dy vëllezërit Sylaj, por jo personi që, sipas tij, e ka pranuar fajësinë për vrasjen.

Avokati ngriti dyshime se Jeton Sylaj, ndonëse ishte në rrugë për t’u ndaluar në lidhje me mosrespektimin e një vendimi gjyqësor, mund të ketë pasur ende qasje në telefonin e tij personal.

Sipas Berishës, përmes telefonit mund të jenë përcjellë lëvizjet në oborrin e shtëpisë, ku ishin të instaluara kamera të sigurisë. Ai pretendoi gjithashtu se kamera mund të ishin vendosur edhe në dhomën e gjumit, duke thënë se Arlinda kishte dërguar fotografi te persona të tjerë për të shprehur shqetësimin lidhur me këtë.

“Nuk ka pasur thirrje në 192 për vrasjen e Arlindës. Por, në stacionin policor kanë qenë dy vëllezërit Sylaj, jo dorasi,  për të cilin ka prova dhe është deklaru fajtor vetë. Por, ka qenë vet Jetoni që ka qenë në rrugë e sipër, meqë ishte marrë vendim për ndalimin e tij për mosrespektimin e vendimit gjyqësor në ato moment akoma dyshohet se Jetoni ka pas qasje në telefonin e tij personal. Nga telefoni i tij personal ka përcjell gjithë lëvizjet në oborrin e shtëpisë së tij ku kishte instaluar kamerat më të sofistikuara që njeh teknologjia në shtëpitë tona të përditshme, ku sipas provave që kemi ne kishte instaluar kamera edhe në dhomën e gjumit sepse Arlinda kishte dërguar foto tek të tjerët e shqetësuar se i ka vendos kamere edhe aty. Pra kemi edhe të tilla foto ku ajo ka besu që ka vendos kamera edhe aty. Është përshtypja jonë e mbështetur në prova e njerëz që kanë qenë prezent në stacionin e policisë dhe për këtë kam kërkuar të sekuestrohen të gjitha kamerat e sigurisë të stacionit të policisë në momentin e vrasjes dhe ku ndodhej Jetoni dhe kush ishte me Jetonin dhe çfarë kishte në dispozicion jetoni në telefonin e tij dhe natyrisht korrespodenca e komunikimit të tij. Gjasat reale janë, kemi prova,  që komunikimi ka vazhdu kur Jetoni ia ka komuniku familjes ndalimin dhe me arritjen e Arlindës tek shtëpia ka ndodh tragjedia sapo është largu policia. Arlinda është pritë në ‘prit’ vrasje e saj për bindjen time është planfiku të ndodhë në momentin që Jetoni është dërgu për ndalim në Klinë”, u shpreh Berisha.

Për këtë arsye, Berisha ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së stacionit policor, për të verifikuar se ku ndodhej Jeton Sylaj në momentin e vrasjes, kush ishte me të dhe çfarë qasjeje kishte në telefonin e tij.

“Gjasat reale janë, kemi prova, që komunikimi ka vazhduar kur Jetoni ia ka komunikuar familjes ndalimin dhe me arritjen e Arlindës te shtëpia ka ndodhur tragjedia sapo është larguar policia. Arlinda është pritur në ‘pritë’. Vrasja e saj, për bindjen time, është planifikuar të ndodhë në momentin që Jetoni është dërguar për ndalim në Klinë”, deklaroi Berisha.

Ai tha se ka kërkuar se hetimi duhet të përfshijë edhe komunikimet telefonike, pamjet e kamerave të sigurisë dhe personat që kanë qenë të pranishëm në stacionin policor në kohën e ngjarjes.

Të ngjashme