Stërvitje kërkim-shpëtimi pranë Aeroportit të Rinasit, simulohet rrëzimi i një avioni jashtë pistës

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes njofton se sot nga ora 10:30 deri në 12:00, pranë aeroportit të Rinasit do të zhvillohet stërvitja e kërkim-shpëtimit “SAR-2026”.

Në ushtrim do të marrin pjesë Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, shërbimet e emergjencës dhe institucionet përgjegjëse të aviacionit.

Stërvitja parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen jashtë rrethimit të aeroportit, me qëllim testimin e reagimit dhe koordinimit për shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Ministria sqaron se bëhet fjalë për një stërvitje të planifikuar dhe jo për një emergjencë reale. Gjatë saj, qytetarët mund të vërejnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës në zonën pranë aeroportit.

MINISTRIA E MBROJTJES – INFORMIM

Mbi zhvillimin e Stërvitjes së Kërkim-Shpëtimit “SAR-2026” në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës

Sot, më datë 4 Nëntor 2026, nga ora 10:30 deri në orën 12:00, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, do të zhvillohet stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit “SAR-2026”, e organizuar nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH), në bashkëpunim me institucionet dhe strukturat përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave në rastet e aksidenteve ajrore.

Në stërvitje do të marrin pjesë Forcat e Armatosura, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), Policia e Shtetit, ALBCONTROL, Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (AKISA), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

Stërvitja do të zhvillohet mbi bazën e një skenari të simuluar, që parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit.

Qëllimi është testimi i procedurave të reagimit, koordinimit ndërinstitucional dhe angazhimit të njësive të kërkim-shpëtimit për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Gjatë zhvillimit të stërvitjes, qytetarët mund të konstatojnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës në zonën pranë aeroportit.

Ministria e Mbrojtjes sqaron se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje të planifikuar dhe se nuk ka asnjë emergjencë reale.

Stërvitja synon rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave pjesëmarrëse dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e situatave të emergjencës në aviacionin civil.

Ministria e Mbrojtjes falënderon qytetarët për mirëkuptimin

Të ngjashme