Britania e ashpërson rrugën drejt qëndrimit të përhershëm: Shumica e emigrantëve do të presin 10 vjet

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Qeveria britanike prezanton sistemin e ri të quajtur “Earned Settlement”, sipas të cilit marrja e lejes së qëndrimit të përhershëm do të varet nga të ardhurat, kontributi në shoqëri dhe respektimi i rregullave të emigracionit. Për disa kategori pritja mund të zgjasë deri në 20 apo edhe 30 vjet.

Mbretëria e Bashkuar po ndryshon ndjeshëm rregullat për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm nga emigrantët. Sipas modelit të ri të prezantuar nga qeveria britanike, periudha standarde e pritjes do të rritet nga pesë në dhjetë vjet për shumicën e personave që synojnë të vendosen përgjithmonë në vend, përcjell albinfo.ch.

Sistemi i ri, i quajtur “Earned Settlement” (Qëndrim i fituar), parasheh që koha e nevojshme për të marrë statusin e qëndrimit të përhershëm të përcaktohet në bazë të të ardhurave, profesionit, kontributit ekonomik dhe respektimit të ligjeve nga secili aplikues.

Sipas skemës së prezantuar më 2 nëntor, personat me të ardhura vjetore mbi 125.140 funte do të mund të aplikojnë pas tri vjetësh qëndrimi. Ndërkaq, ata që fitojnë mbi 50.271 funte në vit, si dhe punonjësit në profesione të caktuara të shërbimeve publike, përfshirë mjekët, infermierët dhe mësuesit, do të mund të përfitojnë pas pesë vjetësh.

Për shumicën e emigrantëve të tjerë do të zbatohet periudha standarde prej dhjetë vjetësh. Ndërsa personat që kanë shkelur rregullat e emigracionit ose nuk plotësojnë kushtet për rrugët më të shpejta mund të përballen me pritje prej 20 vjetësh.

Rregulla edhe më të gjata parashihen për disa kategori refugjatësh. Ata që kanë hyrë në Britani përmes rrugëve të parregullta, përfshirë kalimet me gomone përmes Kanalit Anglez, mund të përballen me periudha pritjeje deri në 30 vjet.

Përveç kohëzgjatjes së qëndrimit, aplikuesit do të duhet të plotësojnë edhe disa kushte të detyrueshme. Ndër to janë mungesa e dënimeve penale, njohja e gjuhës angleze në nivel të avancuar, mosposedimi i borxheve ndaj shtetit dhe dëshmia e kontributeve të vazhdueshme në sistemin e sigurimeve kombëtare.

Sipas qeverisë britanike, ndryshimet synojnë që statusi i qëndrimit të përhershëm të mos jepet më pothuajse automatikisht pas pesë vjetësh, por të fitohet në bazë të kontributit dhe respektimit të rregullave.

Reformat pritet të ndikojnë edhe te emigrantët që tashmë jetojnë në Britani, pasi qeveria ka bërë të ditur se ndryshimet do të zbatohen edhe për një pjesë të personave që ndodhen aktualisht në vend.

Megjithatë, rregullat e reja nuk kanë hyrë ende në fuqi. Qeveria britanike ka paralajmëruar se zbatimi i tyre do të bëhet gjatë vitit 2027, pasi të përfundojë procesi i ndryshimit të rregullave të emigracionit.

Të ngjashme