Dëshmitarja në rastin Ramadan Morina: Askush nuk e ka parë të akuzuarin në vendin e krimit

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Në vazhdim të dëshmisë së saj në rastin ndaj Ramadan Morinës, dëshmitarja Zenije Morina ka deklaruar se nuk e kishte parë të akuzuarin ditën kur ishte vrarë bashkëshorti i saj dhe se nuk kishte dëgjuar nga askush që ai të ishte parë në vendin e ngjarjes, raporton Ekonomia Online.

Gjatë dëshmisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në pyetjet e avokatit të të akuzuarit, Arianit Koci, ajo tha se ditën kur ishte vrarë bashkëshorti nuk e kishte parë Ramadan Morinën, ndërsa as nuk kishte dëgjuar nga dikush se ai ishte parë në vendin e ngjarjes.

Koci e pyeti dëshmitaren nëse kishte dëgjuar që Shukria, vajza e saj, kishte deklaruar se e kishte parë Ramadan Morinën.

Ajo u përgjigj se vajzat dhe dy djemtë kishin qenë me të, por se Ramadanin nuk e kishte parë askush.

“Vajzat kanë qenë, Lumnija 14 vjeç dhe Shukria, edhe dy djemtë. Njëri 8 e njëri 12 vjeç i kanë pasur. I madhi 16-vjeçar ka ikur në mal. Shukrien veç zërin ia kam dëgjuar, kërkush nuk e ka parë”, tha ajo.

Ndërkaq, në pyetjet e trupit gjykues, Zenije Morina tha se familja e saj ishte çuditur dhe i kishte ardhur keq kur kishte dëgjuar për arrestimin e të akuzuarit.

“Jena çuditë, na ka ardhur keq. Me pas qenë ky ndonjë kriminel e kishim ditë, ka qenë njeri i thjeshtë. Kurrë skaj më skaj në komunën e Malishevës nuk ka raporte të këqija”, deklaroi ajo.

Dëshmitarja përsëriti se Ramadan Morinën e konsideron të pafajshëm dhe se në gjykatë kishte ardhur, siç tha, vetëm për drejtësi.

“I pafajshëm është, prej familjes sonë e prej krejt popullit është i pafajshëm. Unë kam ardhë vetëm për drejtësi”, tha ajo.

Të ngjashme