Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) ka ngritur shqetësime për përdorimin e vajit të palmës në produkte që, sipas saj, u paraqiten konsumatorëve si produkte të qumështit, duke kërkuar kontrolle shtesë dhe vlerësim shkencor për ndikimin e mundshëm të tyre në shëndetin publik.
Përmes një postimi, SHQK i është referuar raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për vitin 2025, sipas të cilit janë regjistruar mbi 3 mijë e 700 raste të reja të sëmundjeve malinje.
Shoqata ka vlerësuar se këto të dhëna duhet të rrisin përgjegjësinë dhe vetëdijen për sigurinë ushqimore.
“Ky raport duhet të ngrejë përgjegjësinë dhe vetëdijen për një problem kaq të madh. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur shfaqim pretendime për të mbrojtur dhe maskuar ushqimet që na dëmtojnë shëndetin, na mbyllin fermat dhe dëmtojnë ekonominë”, thuhet në reagim.
SHQK ka thënë se prej më shumë se 15 vjetësh ka paralajmëruar për përdorimin e vajit të palmës në produkte që konsumatorëve u paraqiten si produkte të qumështit.
Sipas të dhënave që ka prezantuar kjo shoqatë, vetëm fabrikat e qumështit në Kosovë kanë përdorur rreth tre milionë kilogramë vaj palme brenda një viti.
“Duke përfshirë edhe importet, të cilat ende nuk janë saktësisht të konfirmuara, vlerësojmë se gjatë 15 viteve në tregun e Kosovës mund të jenë vendosur qindra miliona kilogramë produkte që përmbajnë vaj palme, një pjesë e të cilave janë tregtuar pa deklarimin e duhur”, thuhet në postim.
Shoqata gjithashtu i është referuar Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), duke pretenduar se ky institucion ka identifikuar rreziqe kancerogjene nga disa ndotës që mund të krijohen gjatë rafinimit të vajit të palmës.
“Ekspozimi afatgjatë i qytetarëve kërkon vlerësim serioz shkencor”, ka theksuar SHQK.
Në reagim, shoqata ka përshëndetur dhe mbështetur veprimet e institucioneve kundër mashtrimeve ushqimore, por ka vlerësuar se prania e vazhdueshme e produkteve të dyshuara në treg kërkon masa shtesë.
Në këtë drejtim, SHQK u ka drejtuar disa kërkesa institucioneve të Kosovës.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kërkuar kontrolle dhe analiza laboratorike të produkteve që përmbajnë zëvendësues të qumështit, veçanërisht në furra, byrektore dhe në tregtinë ushqimore.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja ka kërkuar vlerësim shkencor të ekspozimit afatgjatë të qytetarëve ndaj ndotësve potencialisht të rrezikshëm në këto produkte.
Po ashtu, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të publikojnë sasitë e produkteve të prodhuara dhe të importuara, rezultatet e kontrolleve, si dhe të ndërmarrin masa ligjore ndaj rasteve të mashtrimeve të konstatuara.
“Siguria ushqimore duhet të jetë prioritet kombëtar! Asnjë investim nuk është më i vlefshëm sesa investimi në sigurinë ushqimore dhe shëndetin e popullit tonë”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës.
Pretendimet e shoqatës për sasitë e vajit të palmës dhe ndikimin e mundshëm të produkteve që e përmbajnë atë në shëndetin e qytetarëve nuk paraqesin, në vetvete, dëshmi se këto produkte kanë shkaktuar rastet e sëmundjeve malinje të raportuara nga IKSHPK-ja.