Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh, duke paralajmëruar rritje të koeficientit të pagave nga 1 korriku i vitit të ardhshëm dhe vazhdimin e pagesës së pagës së 13-të për punonjësit publikë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, Kurti tha se buxheti është rreth 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
Ai bëri të ditur se 908 milionë euro janë paraparë për financimin e komunave, ndërsa për pagat e punonjësve publikë janë ndarë 1 miliard e 85 milionë euro.
Sipas Kurtit, nga 1 korriku 2027 koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro, ndërsa në gjysmën e parë të vitit punonjësit publikë do ta përfitojnë pagën e 13-të.
“Kjo është për rreth 200 milionë euro, më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026, apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026. Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave. Kjo përbën nivelin më të lartë të financimit komunal deri më sot dhe pasqyron rritjen e vazhdueshme të granteve qeveritare, si dhe mbështetjen për ofrimin e shërbimeve publike sa më afër qytetarëve. Në këtë buxhet kemi paraparë gjithashtu edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të 4 ish-udhëheqësve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse. Për angazhimin dhe mbështetjen e mëtejshme në këtë proces, presim edhe strategjinë e grupit punues të kryesuar nga zëvendës kryeministri Glauk Konjufca. Le të fillojmë me radhë me kapitujt e këtij propozimi buxheti. Pagat dhe mirëqenia e punonjësve publik. Buxheti i vitit 2027 vazhdon politikën e rritjes së të ardhurave për punonjësit e sektorit publik. Sikurse edhe këtë vit, është paraparë pagesa e pagës së 13-të, e krahas saj nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro. Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do ta përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit. Si rezultat, buxheti për paga arrin në 1 miliard e 85 milionë euro, e që i shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publik, ky nivel i financimit reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh”, tha ai.
