Kurti mohon se nepotizmi dhe korrupsioni ekzistojnë në Kosovë, kërkon nga Musliu dëshmi për punësimet familjare

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar se në Kosovë ekziston dukuria e nepotizmit dhe korrupsionit, duke kërkuar nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, që për emrat e familjarëve të zyrtarëve të Vetëvendosjes, të cilët ajo i përmendi në Kuvend, të sjellë dëshmi se janë punësuar duke i kapërcyer kandidatët e tjerë në konkurse publike, raporton Ekonomia Online.

Musliu gjatë seancës së Kuvendit kishte lexuar emra dhe mbiemra të familjarëve të deputetëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët pretendoi se janë punësuar në institucione publike.

Në përgjigjen e tij, Kurti tha se raportet vendore dhe ndërkombëtare nuk e evidentojnë më nepotizmin dhe korrupsionin si dukuri në Kosovë.

Ai kërkoi që Musliu të dëshmojë nëse personat e përmendur kanë përfituar nga lidhjet familjare për t’u punësuar, duke tejkaluar kandidatët me më shumë kualifikime.

“Dukuria e nepotizmit edhe e korrupsionit, nuk ekziston më në Kosovë. Këtë e thonë edhe raportet vendore, edhe ndërkombëtare. Ndërkaq, për emrat që i lexuat ju, do të duhej të na tregonit cili prej këtyre emrave nuk ka qenë në krye të listës kur është angazhuar dhe që lidhja familjare paska bërë që t’i shkapërcejë ata që kanë qenë më të zotë dhe personin në fjalë që e ka korruptuar. Kjo është pyetja. Nuk është pyetja me na e lexu kur i kemi anëtarët e familjes. Pra, ajo çka është e rëndësishme për neve është cilët mendoni ju që prej këtyre, kur kanë aplikuar nëpër konkurse, i kanë kapërcyer të tjerët që kanë qenë në teste me shkrim, a me goja, sa i përket kualifikimeve të tyre më lartë, edhe për shkak të lidhjes familjare ose familjare, u punësuan ata. Na e sjell një listë të tillë”, tha ai.

Të ngjashme