E ardhmja e trupave amerikane në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë.
Gjermania konfirmon se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës, KFOR, por nuk sqaron nëse po diskutohet edhe reduktimi i trupave amerikane.
“Forcat amerikane luajnë rol të rëndësishëm në KFOR”, tha një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur nëse me aleatët është diskutuar mundësia e reduktimit të kontingjentit amerikan në Kosovë, ai tha: “Qeveria gjermane është në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me NATO-n dhe aleatët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, lidhur me të ardhmen e KFOR-it”.
Ai shtoi se hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.
Përgjigjja vjen pas konsultimeve të 17 nëntorit në Bruksel, ku aleatët e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Para takimit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se priten ndryshime në numrin e trupave amerikane, por se përmasat e tyre mbeten të paqarta.
Ai theksoi nevojën për koordinim me Uashingtonin, në mënyrë që të shmangen boshllëqet në mbrojtjen evropiane.
Pas konsultimeve, Colby tha se shpreson që rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë të përfundojë deri më 1 dhjetor.
Ai nuk konfirmoi nëse do të ketë reduktim trupash, por tha se SHBA-ja duhet t’i shpërndajë forcat sipas nevojave të saj globale, përfshirë angazhimet në rajonin e Indo-Paqësorit.
Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk nënkupton tërheqjen e SHBA-së nga angazhimet në Evropë.
A pritet reduktim i trupave amerikane në Kosovë?
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar tashmë ndryshime në kontributin e tyre në KFOR.
Në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s.
Sipas një zyrtari të saj, përshtatja do të bëhet në faza, bazuar në vlerësimin e rrezikut.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë më 16 qershor, ai nuk specifikoi numrin e ushtarëve që mund të preken nga ndryshimet.
Një kërkesë tjetër për sqarime iu dërgua Departamentit amerikan të Mbrojtjes më 20 nëntor, por mbeti pa përgjigje.
Ndërkohë, një burim i Radios Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se ekziston një plan për reduktimin e ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë.
Sipas tij, numri i pjesëtarëve amerikanë mund të ulet nga rreth 650 aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028.
Synimi, sipas burimit, është që brenda dy vjetësh SHBA-ja të ketë vetëm një rol të kufizuar ushtarak në Kosovë, ndërsa disa pozita mund të mbeten në shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione.
Autoritetet amerikane dhe NATO-ja nuk kanë njoftuar publikisht për një plan të tillë.
Çfarë ndryshimesh ka paralajmëruar NATO-ja?
Në qershor, NATO-ja njoftoi se do ta përshtatë gradualisht praninë e saj ushtarake në Kosovë, me synimin që brenda një viti numri i trupave të kthehet në nivelet e para vitit 2023.
Vendimi u arsyetua me përmirësimin e situatës së sigurisë.
NATO-ja kishte dërguar përforcime në vitin 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin e armatosur në Banjskë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 20 tetor, një zyrtar i NATO-s tha se misioni kishte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere.
Sipas tij, ndryshimet do të jenë graduale dhe do të varen nga vlerësimet e sigurisë. Ato mund të pezullohen ose të kthehen mbrapsht, nëse situata në terren e kërkon këtë.
Aleanca ka theksuar se mund ta përforcojë KFOR-in nëse rrezikohet siguria në Kosovë ose stabiliteti rajonal.
NATO-ja nuk ka sqaruar se si do të ndikojë riorganizimi në kontingjentin amerikan, por ka mirëpritur kontributin afatgjatë të SHBA-së dhe angazhimin e trupave të reja amerikane në mision.
A mund ta shtojë Gjermania praninë e saj?
E pyetur nëse do të shqyrtonte dërgimin e më shumë ushtarëve në Kosovë, në rast të një reduktimi amerikan, Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Qeveria gjermane nuk spekulon për vendimet e mundshme të qeverive të tjera”, tha zëdhënësi për Radion Evropa e Lirë.
Ai rikujtoi se Parlamenti gjerman, në qershor, e zgjati edhe për një vit mandatin e forcave gjermane në KFOR, duke lejuar dislokimin e deri 400 ushtarëve.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, afër Ferizajt.
Forcat amerikane janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999, kur NATO-ja dislokoi misionin paqeruajtës pas përfundimit të luftës.
KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
NATO-ja ka theksuar se, pavarësisht ndryshimeve të planifikuara, mandati i misionit dhe angazhimi i saj për sigurinë e Kosovës mbeten të pandryshuar.