Komisioni Qeveritar raporton për punën në njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur është takuar me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Arton Konushevci, tha se në këtë takim janë ftuar përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për të diskutuar lidhur me punën e tyre.

“Sot kemi ftuar përfaqësues të Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qeveritar, Leonora Selmani, para deputetëve prezantoi një raport lidhur me punën dhe përgjegjësitë e këtij institucioni.

“Në bazë të legjislacionit që e kemi në fuqi unë jam munduar të ju sjell një raport me shkrim në pika shumë të shkurtra sepse besoj që kemi shumë gjëra të tjera për të diskutuar. Siç e keni parë dhe siç është i përcaktuar me ligj, ky komision është i përbërë prej nëntë anëtarëve. Kemi punuar shumë edhe në ndjekjen e akteve nënligjore por edhe akteve të brendshme të cilat kanë ndihmuar punën e komisionit. Ky komision është krijuar duke marrë për bazë edhe komisioet simotra edhe për vendet tjera të cilat kanë pas përjetimin e njëjtë përafërsisht siç është Bosnja dhe Kroacia dhe jemi munduar bashkërisht me shoqërinë civile në atë kohë sepse unë jam pjesë e zyrës së kryeministrit që nga fillimi. Kemi punuar edhe në plotësim ndryshimin e ligjit që e përmenda më herët që ka qenë iniciativë e këtij komisioni për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni dhe vazhdimit të mandatit për ta parashtuar kërkesën”, tha ajo.

Të ngjashme