Arrestohen tre zyrtarë të Gjykatës në Ferizaj dhe Gjakovë dhe një avokat

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Katër persona janë arrestuar të martën në kuadër të një hetimi për dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe bashkëkryerje.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt.

Operacioni ka nisur rreth orës 08:50, pas një periudhe të gjatë hetimesh dhe me urdhër për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Të dyshuarit janë tre persona që, sipas Policisë, kanë mbajtur pozita dhe role të ndryshme zyrtare në gjykatat e Ferizajt dhe Gjakovës, si dhe një avokat.

Ata dyshohen se kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje që lidhen me punësimin.

Gjatë kontrolleve, Policia ka sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuteri dhe dokumentacion relevant që pritet të shërbejë si dëshmi në kuadër të hetimeve.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Të ngjashme