Numri i vjedhjeve me thyerje në Zvicër ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa dallimet ndërmjet kantoneve mbeten të mëdha
Sipas statistikave të kompanisë së sigurimeve Helvetia-Baloise, numri i rasteve të raportuara është rritur nga 27 në 42 për çdo 10 mijë polica sigurimi.
Krahas numrit të vjedhjeve, është rritur edhe vlera e sendeve të vjedhura. Në vitin 2021, dëmi mesatar për një vjedhje ishte rreth 6,500 franga, ndërsa në vitin 2025 arriti në mbi 7,100 franga, shkruan 20 minuten, transmeton albinfo.ch.
Gjeneva është kantoni më i prekur nga vjedhjet me thyerje, e ndjekur nga Vaud dhe Basel-Stadt. Në anën tjetër, Obwalden regjistron numrin më të ulët të rasteve.
Muajt nëntor dhe dhjetor rezultojnë të jenë periudha më problematike, pasi gjatë këtyre dy muajve regjistrohet rreth një e katërta e të gjitha rasteve.
Sa i përket dëmit financiar, kantoni Zug kryeson me një vlerë mesatare prej mbi 12 mijë frangash për vjedhje.
Ekspertët rekomandojnë që qytetarët të sigurojnë dyert dhe dritaret e banesave, të mos mbajnë shuma të mëdha parash në shtëpi dhe të shmangin publikimin e informacioneve për mungesën e tyre nga banesa.
Të dhënat bazohen në rastet e raportuara te kompania e sigurimeve dhe jo në të gjitha rastet e regjistruara nga policia zvicerane.