Një 18-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi ishte i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Ferizajt.
Sipas komunikatës së Policisë, rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 23:30, në rrugën “Arbëria”, ku njësiti policor kishte ndaluar një veturë të tipit “Opel Corsa”.
Gjatë verifikimit të 18-vjeçarit me inicialet E.B., është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
I riu kishte tentuar të largohej, por pas ndjekjes nga policia në një distancë prej rreth dy kilometrash, është arrestuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit.