Haxhiu: Dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 10:38 | Nga Drita Dërmaku

Në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Grupi i Grave Deputete organizoi Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror në luftimin e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave, duke theksuar se këto fenomene duhet të marrin më shumë vëmendje edhe nga mediat.

Haxhiu ka kritikuar mungesën e vëmendjes mediatike ndaj temave që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e grave, duke thënë se ato shpesh marrin vëmendje vetëm kur rastet e dhunës bëhen tragjike.

“Të dashura të pranishme e të nderuara media, që do të doja të ishit më shumë media të pranishme në këtë seancë të rëndësishme, por ja që për temat kur flasim për vajza dhe gra, kur flasim për fenomene me të cilat po përballet shoqëria jonë, gjithnjë këto tema po marrin më pak vëmendje. Pra, po flasim vetëm atëherë kur po bëhet shumë e madhe, le të flasim edhe atëherë, por edhe tash është shumë e rëndësishme që të kemi media që të shohin qëndrimet tona në raport me fenomenet me të cilat po përballemi, sepse pavarësisht dallimeve tona politike, duhet të jemi bashkë dhe jemi bashkë. Pikërisht kjo e dëshmon që jemi bashkë për të luftuar dhunën në familje, dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se një ndër padrejtësitë më të mëdha me të cilat përballen gratë është mungesa e sigurisë në vetë shtëpitë e tyre, të cilat duhet të jenë hapësira ku ato gjejnë qetësi dhe mbrojtje.

“Gratë përgjatë gjithë historisë janë përballur me padrejtësi të llojllojshme, por një ndër padrejtësitë më të rënda ndaj grave është se shumë prej tyre nuk ndihen të sigurta në shtëpinë e vet. Shtëpia do të duhej të ishte vendi ku kthehemi për të gjetur qetësi, ku e mbyllim derën pas vetes dhe ku ndihemi të sigurta. Por fatkeqësisht, për shumë gra frika nis pikërisht pasi të mbyllet ajo derë”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhiut, për vite me radhë dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private, por kjo, siç tha ajo, nuk mund të jetë arsye që institucionet të shmangin përgjegjësinë.

“Për vite me radhë dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private. Mirëpo, dera e shtëpisë nuk mund të jetë edhe kufiri ku përfundon përgjegjësia e shtetit. Kur një grua përballet me dhunë, siguria dhe të drejtat e saj janë çështje e drejtësisë, por po ashtu janë çështje edhe e përgjegjësisë publike”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit.

Duke iu referuar rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, Haxhiu ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, duke përfshirë edhe veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

Ajo ka rikujtuar kërkesën e fundit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e saj, duke theksuar se as vendimi i gjykatës dhe as prania e Policisë nuk arritën ta garantonin sigurinë e saj.

“Para pak javësh, Arlinda Zekaj kërkonte të kthehej në shtëpinë e vet. ‘Unë dua të shkoj në shtëpinë time’, kishte thënë e ndjera. Një kërkesë kaq e thjeshtë e kaq njerëzore, të cilën as vendimi i gjykatës e as prania apo prezenca e policisë nuk arritën ta mbronin. Kuvendi ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të rëndë, përfshirë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e Arlindës. Është e domosdoshme të përcaktohet ku ka dështuar zinxhiri institucional i mbrojtjes dhe kush mban përgjegjësi për këto dështime”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fjalën e saj, ajo është ndalur edhe te mënyra se si shoqëria shpesh i trajton gratë që përjetojnë dhunë, duke vënë në pah pyetjen e përsëritur se përse ato nuk largohen nga shtëpitë ku përballen me dhunë.

E para e Kuvendit ka theksuar se përgjegjësia për largimin nga ambienti i dhunshëm nuk duhet të bie mbi viktimën, pasi legjislacioni në fuqi parasheh largimin e dhunuesit nga shtëpia si masë mbrojtëse.

“Ne e dimë që shpesh kur flitet për një grua që ka përjetuar dhunë, dëgjojmë pyetjen se ‘po pse nuk iku? Pse nuk iku nga shtëpia?’. Por pse duhet të ikë ajo, shtrohet pyetja. Si Konventa e Stambollit, ashtu edhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore e parashohin largimin e dhunuesit nga shtëpia apo nga banesa si masë mbrojtëse. Pra, pikërisht ligji që është miratuar nga ky Kuvend i Republikës së Kosovës, me iniciativë të këtij Kuvendi, pra është Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje, por edhe Konventa e Stambollit për të cilën ka pasur unifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kërkon largimin e dhunuesit nga shtëpia. Kjo dispozitë duhet të zbatohet në praktikë, me kohë, por po ashtu edhe me vendosmëri. Nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë largimin e gruas si zgjidhjen e zakonshme, kur ligji na jep mundësinë ta largojmë atë që ushtron dhunë, pra dhunuesin”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka rikujtuar se siguria e grave nuk kufizohet vetëm brenda hapësirave familjare, por duhet të garantohet në të gjitha hapësirat ku ato jetojnë dhe veprojnë.

“Të nderuara deputete dhe asambleiste, siguria e grave nuk përfundon te dera e shtëpisë. Ajo lidhet edhe me rrugët ku ecin, transportin që përdorin, vendet ku punojnë dhe hapësirat ku marrin pjesë në jetën publike”, shtoi Haxhiu.

Të ngjashme