Kusari kritikon Qeverinë Kurti 2: Në raportin e të arriturave mungojnë media dhe liria e shprehjes

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka kritikuar Qeverinë Kurti 2 për mungesën e referencave ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në dokumentin e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, ku paraqiten të arriturat kryesore të qeverisë për periudhën 2021–2026.

Përmes një reagimi, Kusari ka vënë në dukje se në dokument nuk figuron fare fjala “media”, ndërsa fjala “gazetarë” përmendet vetëm në kontekstin e programit për strehimin e gazetarëve ukrainas dhe afganë.

Ajo ka theksuar gjithashtu se në dokument nuk përmendet as fjala “shprehje”, duke iu referuar mungesës së trajtimit të lirisë së shprehjes.

“Nuk e di për fushat e tjera të qeverisjes, por sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, raporti është 100% i saktë”, ka shkruar Kusari.

Sipas saj, mungesa e këtyre temave në dokument lidhet me atë që ajo e cilëson si regres në fushën e lirisë së medias dhe shprehjes gjatë mandatit qeverisës.

Në fund të reagimit, Kusari ka përmendur edhe përparimin e Moldavisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur një dozë xhelozie për zhvillimet në këtë vend.

Të ngjashme