Në emër të Multietnikës së Kosovës, u bëj thirrje institucioneve kompetente të Serbisë që të reagojnë urgjentisht, të verifikojnë dhe të dokumentojnë veprimet kriminale, si dhe të ndjekin penalisht personat përgjegjës në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë.
Bëhet fjalë për veprime kriminale shumëvjeçare të punonjësve të këtyre fakulteteve, të cilët regjistrojnë në mënyrë fiktive si studentë persona nga Kosova, Serbia qendrore dhe Republika Sërpska.
Pra, bëhet fjalë për persona që nuk janë paraqitur asnjëherë në fakultete, nuk studiojnë dhe as nuk u nënshtrohen provimeve.
Në këtë mënyrë, prej vitesh keqpërdoren shuma të konsiderueshme parash, të cilat Serbia ua ka paguar këtyre fakulteteve në emër të studentëve inekzistentë.
Në fakt, këto para vazhdojnë të përdoren për pagat e profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të cilat janë shumë më të larta se pagat e profesorëve të universiteteve në Serbinë qendrore.
Dhe, për ta bërë paradoksin edhe më të madh, e gjithë kjo ndodh në territorin e një shteti fqinj.
Personat e informuar thonë se sot në shumë fakultete të universitetit në fjalë, i cili vepron jashtë sistemit arsimor të Kosovës, nuk ka as dhjetë studentë, ndërkohë që numri i studentëve të regjistruar është dukshëm më i madh.
Prandaj, në emër të Multietnikës së Kosovës, kërkojmë që organet kompetente të fillojnë urgjentisht hetimin e keqpërdorimeve kriminale shumëvjeçare, duke nisur nga Fakulteti i Kulturës Fizike në Leposaviq, si dhe të përcaktohet përgjegjësia penale e Zyrës për Kosovën, rektoratit dhe dekanëve të fakulteteve.