Suksesi i madh në politikë mund ta krijojë një iluzion të rrezikshëm: nëse ke ditë me i fitu zgjedhjet, di edhe si zgjidhet çdo problem i shtetit.
Kur të mbështesin shumë njerëz, mundesh me fillu me i besu më shumë gjykimit tënd edhe për çështje që nuk i njeh mirë. E nëse njerëzit që i ke pranë vazhdimisht të japin të drejtë, bëhet edhe më vështirë me e pa ku po gabon.
Dikush hesht për me e ruajtë pozitën, dikush pajtohet për me avancu në karrierë, e dikush sinqerisht beson se ti i di gjërat më mirë. Kështu, edhe kur ke nevojë për një këshillë të sinqertë, mundesh me dëgju vetëm miratime.
Por, edhe kur dikush të kundërshton, duhet me qenë në gjendje me e kuptu ku qëndron gabimi yt.
Në vitin 1999, dy psikologë të Universitetit Cornell, Justin Kruger dhe David Dunning, publikuan një studim për fenomenin që sot njihet si efekti Dunning–Kruger. Një prej përfundimeve të tyre ishte se mungesa e njohurive në një fushë mund të na pengojë edhe me i dallu gabimet tona.
Në hyrje të studimit, autorët përmendin McArthur Wheeler, i cili më 1995 kishte grabitë dy banka në Pittsburgh të Amerikës, pa e mbuluar fytyrën. E kishte lyer vetëm me lëng limoni.
Spiunët e përdornin këtë lëng për me shkru mesazhe sekrete. Pasi thahej, shkrimi nuk dallohej lehtë në letër. Kur letra nxehej, mesazhi bëhej i dukshëm.
Wheeler besonte se, duke e lyer fytyrën me lëng limoni, ajo nuk do të shihej në kamerat e sigurisë. Por, lëngu që përdorej si bojë e padukshme nuk e bënte të padukshëm edhe njeriun. Kur policia ia tregoi incizimet, u habit.
Një ngjarje tjetër tregon sa të rënda mund të jenë pasojat kur e kupton gabim një informacion dhe nuk e dëgjon profesionistin që ta shpjegon.
Më 1996, rrëmbyesit e një aeroplani të Ethiopian Airlines kërkonin që piloti t’i dërgonte në Australi. Në revistën e kompanisë kishin lexu se ai tip aeroplani mund të fluturonte 11 orë pa furnizim.
Kjo ishte e mundshme me sasinë e nevojshme të karburantit. Por, aeroplani që kishin rrëmbyer nuk kishte karburant për aq orë fluturim.
Piloti ua shpjegonte dallimin dhe kërkonte me u ndalë për furnizim. Ua tregoi edhe matësin e karburantit. Nuk e besuan. Për ta, ajo që kishin lexu në revistë mjaftonte për me e kundërshtu njeriun që e drejtonte aeroplanin.
Refuzuan ndalesën. Aeroplani mbeti pa karburant dhe u detyrua të ulej në oqean, pranë Ishujve Komore. Humbën jetën 125 njerëz.
Këto janë raste ekstreme. Por, me e mbivlerësu dijen tënde mundesh edhe në punën e përditshme. As ne avokatët nuk bëjmë përjashtim. Mundesh me i fitu rastet më të vështira në gjykatë e prapë me pasë njohuri modeste në ekonomi.
E kur ke edhe pushtet, sa je i gatshëm me e pranu se dikush tjetër e njeh çështjen më mirë?
Në vitin 2011, Kelly E. See, Elizabeth Wolfe Morrison, Naomi B. Rothman dhe Jack B. Soll publikuan një punim mbi pushtetin dhe vendimmarrjen. Në katër studimet e tyre, ndjenja e pushtetit lidhej me besimin më të madh në gjykimin personal dhe me gatishmërinë më të vogël për me i marrë parasysh këshillat. Në eksperimentin e fundit, pjesëmarrësit me ndjenjë më të madhe pushteti dhanë edhe vlerësime përfundimtare më pak të sakta.
Për një kryeministër, kjo ka rëndësi të veçantë, sepse pasojat e vendimeve të tij i bartin qytetarët. Prandaj, edhe te Albin Kurti, pyetja që më intereson është sa hapësirë ka për kundërshtim profesional. Dijen dhe suksesin politik ia njoh.
Votat i japin legjitimitet me qeverisë, por nuk ia zëvendësojnë njohuritë profesionale. Një vërejtje juridike nuk e humb vlerën pse qeveria ka mbështetje të madhe.
Më 24 janar 2024, në Gazetën Zyrtare u publikua aktgjykimi KO79/23, me të cilin Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Në paragrafin 388, Gjykata ua rikujtoi Qeverisë dhe Kuvendit detyrimet kushtetuese të trajtuara edhe në aktgjykimin paraprak KO219/19.
Si avokat, do të doja me ditë nëse juristët i kishin identifiku këto probleme gjatë hartimit të ligjit dhe çfarë ishte bërë me vërejtjet e tyre. Aktgjykimi nuk na tregon nëse këshillat janë shpërfillë apo gabimet nuk janë dallu me kohë. Këtë duhet me e sqaru.
E në mbledhjet e Qeverisë, a ndihen ministrat dhe këshilltarët të lirë me i thënë kryeministrit se e ka gabim?
Për me folë hapur, ata duhet me e ditë se kundërshtimi me argumente nuk u kushton me pozitë apo me besimin e tij. Edhe vetë kanë përgjegjësi me folë. Heshtja për hir të shefit mund t’u kushtojë qytetarëve.
Kryeministri duhet me ua kërku vetë bashkëpunëtorëve: ma thoni ku po gaboj. Me pyetë ku mund të dështojë propozimi i tij dhe a ka zgjidhje më të mirë. Vendimin e merr vetë, por pasi t’i ketë shqyrtu edhe argumentet që nuk i pëlqejnë.
Më vjen mirë që Albini lexon. Por, drejtimi i një qeverie kërkon edhe me ua besu profesionistëve çështjet që i njohin më mirë se ti.
Unë nuk pres prej kryeministrit me ditë gjithçka. Pres prej tij me ditë kënd me dëgju.