Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leotrim Syla, ka folur për motivet financiare që, sipas tij, lidhen me vrasjen e saj, duke përmendur edhe sigurimin shëndetësor nga i cili synohej të përfitoheshin para.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Adresa”, Syla deklaroi se Liridona punonte në dy vende për ta mbajtur familjen, ndërsa sipas tij, Naim Murseli jetonte përtej mundësive të tij financiare dhe kishte hyrë në borxhe.
“Liridona për të ishte vetëm burim i të ardhurave, në kuptimin e punës së saj, pasi e ndjera kryente dy punë për ta mbajtur familjen. Ndërsa Naimi në fasadë dukej sikur ishte ai i pasuri, e në fakt ishte e kundërta. Pra, Naimi ka jetuar një jetë të pabarabartë me ato që i ka fituar dhe, si rrjedhojë, ka hyrë në borxhe, të cilat është dashur t’i kthente në një mënyrë apo tjetër, duke e vrarë Liridonën për ta marrë atë sigurim shëndetësor”, ka deklaruar Syla.
Ai ka folur edhe për strategjinë e mbrojtjes së të akuzuarve në rastin e vrasjes së saj, ku ish-bashkëshorti Naim Murseli u dënua me burgim të përjetshëm.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Adresa”, Syla tha se në një moment Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava u bënë ekip kundër Murselit, duke ndryshuar kështu strategjinë e mbrojtjes.
“Njëra nga strategjitë ishte kjo, kurse në një moment mund të themi se ka qenë fati ynë si palë e dëmtuar që Kushtrimi dhe Graniti janë bërë si ekip kundër Naimit. Pastaj ndryshoi e gjithë strategjia e mbrojtjes, ku ata u munduan t’ia hedhin krejt fajin Naimit. Ata filluan t’i japin gjykatës më shumë material për njëri-tjetrin. Në një moment, kur Kushtrim Kokalla vendosi të deklarohej si përfaqësues i palës së dëmtuar, jemi frikësuar. Të drejtën, kemi menduar se mos ndoshta do të mbrohet në heshtje”, ka deklaruar Syla.