SPERTK ngre shqetësime për konkursin në RTK: Kërkon verifikimin e ligjshmërisë së komisionit dhe transparencë në përzgjedhje

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPERTK) ka shprehur shqetësim për parregullsitë e pretenduara në procesin e konkursit për Kryeredaktor të Televizionit të RTK-së, duke kërkuar sqarime për përbërjen e komisionit, trajtimin e ankesave të punonjësve dhe largimin e organizatës FOL nga monitorimi i procesit.

SPERTK ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me mënyrën e zhvillimit të konkursit për pozitën e Kryeredaktorit të Televizionit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke pretenduar se parregullsitë kanë nisur që në përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit vlerësues.

Sipas sindikatës, përbërja e këtij komisioni ngre pikëpyetje për përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e brendshme të RTK-së, veçanërisht sa i përket konfliktit të interesit.

SPERTK ka veçuar pjesëmarrjen e Hyre Tejecit në komision, duke rikujtuar se ajo ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sindikata kërkon sqarim nëse kjo rrethanë është në përputhje me nenin 10 të Rregullores së Brendshme të RTK-së për Konfliktin e Interesit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga SPERTK lidhet me vlerësimin e kritereve të integritetit moral dhe profesional të kandidatëve. Sipas sindikatës, ankesat e gazetarëve të redaksisë së lajmeve lidhur me marrëdhëniet profesionale, presionet në vendin e punës dhe klimën brenda redaksisë nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur gjatë procesit të përzgjedhjes.

Në reagimin e saj, SPERTK përmend edhe ankesat e dokumentuara të punonjësve në administratën e RTK-së kundër Blerim Haxhiajt, si dhe pretendimet për presion në vendin e punës, për të cilat thotë se ekzistojnë edhe vendime të Inspektoratit të Punës.

Sindikata vlerëson se këto dokumente dhe ankesa duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit të kandidatëve për pozita udhëheqëse editoriale, duke kërkuar që kriteret e konkursit të zbatohen në mënyrë objektive dhe të barabartë për të gjithë kandidatët.

SPERTK ka shprehur shqetësim edhe për largimin e organizatës FOL nga monitorimi i procesit të rekrutimit. Sipas sindikatës, ndërprerja e monitorimit nga kjo organizatë kërkon sqarim publik lidhur me arsyet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë vendim.

Në reagimin e saj, SPERTK ngre dyshime se mënyra e zhvillimit të konkursit mund të krijojë rrethana që favorizojnë përzgjedhjen e Blerim Haxhiajt për pozitën e Kryeredaktorit të Televizionit, pavarësisht ankesave dhe shqetësimeve të ngritura nga punonjësit. Këto pretendime sindikata i lidh me nevojën për transparencë dhe llogaridhënie institucionale.

Përballë këtyre zhvillimeve, SPERTK kërkon sqarim zyrtar për bazën ligjore të përbërjes së komisionit, verifikimin e pjesëmarrjes së Hyre Tejecit në raport me nenin 10 të rregullores, transparencë në vlerësimin e kandidatëve dhe shqyrtimin e ankesave të gazetarëve, përfshirë dokumentacionin dhe vendimet e Inspektoratit të Punës.

Po ashtu, sindikata kërkon sqarime për largimin e FOL-it nga monitorimi dhe, në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore apo procedurale, ndërmarrjen e masave përkatëse dhe rishqyrtimin e procesit të përzgjedhjes.

SPERTK thekson se pozitat udhëheqëse editoriale në transmetuesin publik kërkojnë integritet, paanshmëri dhe profesionalizëm, ndërsa paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë këtë dhe proceset e tjera të konkurseve në RTK.

“RTK nuk është pronë e individëve, por institucion publik i qytetarëve të Kosovës!”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Reagimi i plotë:

SPERTK shpreh shqetësimim e thellë për parregullsitë në proceset e konkurseve në RTK, veçanërisht në konkursin për Kryeredaktor të Televizionit

Sipas monitorimit te procesit SPERTK, ka verejtur se parregulesite kanë nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit, përbërja e të cilit ngre çështje serioze të përputhshmërisë me legjislacionin në fuqi dhe me rregulloret e brendshme të RTK-së. Për SPERTK-në, një proces i drejtë dhe transparent duhet të fillojë pikërisht nga një komision i paanshëm, me integritet dhe pa asnjë konflikt interesi.

1. Mospërputhja e mundshme me nenin 10 të Rregullores së Brendshme për Konfliktin e Interesit

SPERTK konsideron se përbërja e Komisionit për përzgjedhjen e Kryeredaktorit të Televizionit ngre shqetësime serioze lidhur me respektimin e nenit 10 të Rregullores së Brendshme të RTK-së për konfliktin e interesit.

Ky nen përcakton kufizime lidhur me angazhimin në pozita editoriale për punonjësit që kanë qenë kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare gjatë periudhës trevjeçare.

Në këtë kontekst, shqetësim të veçantë paraqet pjesëmarrja e Hyre Tejecit në Komisionin për përzgjedhjen e Kryeredaktorit të Televizionit, duke pasur parasysh se ajo ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e vitit 2025 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

SPERTK vlerëson se kjo rrethanë kërkon sqarim të menjëhershëm institucional. Nëse rregullorja parasheh kufizime për ushtrimin e funksioneve editoriale në këto rrethana, atëherë është e domosdoshme të sqarohet mbi çfarë baze është lejuar pjesëmarrja në komisionin që përzgjedh drejtuesin më të lartë editorial të Televizionit.

Është e papranueshme që rregulloret e brendshme të interpretohen në mënyrë selektive, varësisht nga pozita apo funksioni që ushtrohet.

2. Mosmarrja parasysh e kritereve të integritetit moral dhe profesional

Një tjetër shqetësim i SPERTK-së lidhet me mënyrën se si Komisioni ka zbatuar kriteret e përgjithshme të përcaktuara në konkurs, veçanërisht ato që kërkojnë integritet të lartë moral dhe profesional, si dhe marrëdhënie të mira me kolegët.

Këto kritere nuk duhet të mbeten vetëm kërkesa formale në tekstin e konkursit, por duhet të vlerësohen në mënyrë reale, objektive dhe të dokumentuar.

SPERTK konsideron se në këtë proces nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur shqetësimet dhe ankesat e ngritura nga gazetarët e redaksisë së lajmeve lidhur me marrëdhëniet profesionale, presionet në punë dhe klimën brenda redaksisë.

Përzgjedhja e drejtuesve editorialë nuk mund të bëhet duke anashkaluar zërin e gazetarëve dhe përvojën e punonjësve që kanë qenë drejtpërdrejt të ekspozuar ndaj situatave të tilla.

3. Anashkalimi i ankesave të gazetarëve dhe vendimeve të Inspektoratit të Punës

SPERTK rikujton se në RTK ekzistojnë ankesa të dokumentuara nga punonjësit, ku janë evidentuar edhe veprime dhe vendime të Inspektoratit të Punës lidhur me pretendimet për presion në vendin e punës, madje nga presioni disa gazetare edhe janë larguar nga RTK.

Po ashtu, në administratën e RTK-së janë të evidentuara ankesa të shumta të punonjësve kundër Blerim Haxhiajt.

SPERTK shpreh shqetësimin se këto ankesa dhe dokumentacioni përkatës nuk janë marrë parasysh në mënyrën e duhur gjatë vlerësimit të kritereve të integritetit moral e profesional dhe të marrëdhënieve me kolegët.

Vendimet e institucioneve kompetente dhe ankesat e dokumentuara të punonjësve nuk mund të injorohen kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e personave në pozita udhëheqëse me përgjegjësi të lartë editoriale.

Një proces i drejtë përzgjedhjeje duhet të marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante, pa favorizime dhe pa standarde të dyfishta.

4. Largimi i organizatës FOL nga monitorimi – sinjal serioz për besueshmërinë e procesit

SPERTK shpreh shqetësim të veçantë edhe për largimin e organizatës FOL nga monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

Sipas shqetësimeve të ngritura lidhur me këtë zhvillim, procesi po kontaminohet dhe nuk po ofron garancitë e nevojshme për një përzgjedhje transparente, të paanshme dhe të bazuar në meritë.

Largimi i një organizate që ka qenë e përfshirë në monitorimin e procesit duhet të shërbejë si alarm për të gjitha organet përgjegjëse të RTK-së. Ky zhvillim kërkon sqarim publik, veçanërisht lidhur me arsyet dhe rrethanat që kanë çuar në ndërprerjen e monitorimit.

SPERTK është e shqetësuar se mënyra se si po zhvillohet ky proces mund të krijojë rrethana që favorizojnë përzgjedhjen e Blerim Haxhiajt në pozitën e Kryeredaktorit të Televizionit, pavarësisht ankesave të shumta të punonjësve dhe shqetësimeve të ngritura lidhur me integritetin profesional dhe marrëdhëniet brenda redaksisë.

Ne shtrojmë pyetjen: A po zhvillohet ky konkurs për të përzgjedhur kandidatin më të mirë në bazë të meritës, apo po krijohen rrethana që mundësojnë përzgjedhjen e një kandidati të caktuar?

SPERTK thekson se asnjë kandidat nuk duhet të përfitojë nga një proces i kontestuar, ndërsa ankesat e punonjësve dhe shqetësimet e monitoruesve të pavarur nuk duhet të anashkalohen.

5. Kërkesat e SPERTK-së

Duke marrë parasysh të gjitha këto shqetësime, SPERTK kërkon:

Sqarim zyrtar për bazën ligjore të përbërjes së Komisionit për përzgjedhjen e Kryeredaktorit të Televizionit.

Verifikimin e përputhshmërisë së pjesëmarrjes së Hyre Tejecit në këtë komision me nenin 10 të Rregullores së Brendshme të RTK-së.

Transparencë të plotë lidhur me mënyrën se si janë vlerësuar kriteret e integritetit moral dhe profesional të kandidatëve.

Shqyrtimin e ankesave të gazetarëve dhe të dokumentacionit përkatës, përfshirë vendimet e Inspektoratit të Punës.

Sqarim lidhur me largimin e organizatës FOL nga monitorimi i procesit dhe arsyet që kanë çuar në këtë vendim.

Sigurimin e një procesi të paanshëm, transparent dhe të bazuar në meritë, pa favorizime dhe ndikime të jashtme.

Në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore apo procedurale, ndërmarrjen e masave përkatëse dhe rishqyrtimin e procesit të përzgjedhjes.

RTK nuk është pronë e individëve, por institucion publik i qytetarëve të Kosovës!

Pozitat udhëheqëse editoriale në transmetuesin publik kërkojnë integritet të lartë, paanshmëri, profesionalizëm, përgjegjësi dhe besim të ndërsjellë brenda redaksisë.Nuk mund të kërkohet integritet nga gazetarët, ndërsa në proceset e përzgjedhjes për pozitat më të larta editoriale të anashkalohen rregulloret, ankesat e punonjësve dhe shqetësimet për transparencën.

SPERTK nuk do të heshtë përballë këtyre zhvillimeve. Do të vazhdojmë të monitorojmë këtë dhe të gjitha proceset e tjera të konkurseve në RTK, duke kërkuar llogaridhënie institucionale, respektim të ligjit dhe mbrojtje të pavarësisë editoriale

Të ngjashme