Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës si pikë e rendit të ditës është shqyrtuar raportimi mbi performancën financiare dhe operative të N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. për vitin 2025 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, raporton Ekonomia Online.
Sipas raportit, ndërmarrja ka përmbyllur vitin 2025 me fitim neto prej 368 mijë e 106 eurosh, duke shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2024, kur kishte regjistruar humbje neto prej 289 mijë e 855 eurosh.
Të hyrat totale gjatë vitit 2025 kanë arritur në rreth 10.06 milionë euro, që paraqet rritje prej 11.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Ndërkaq, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Trafiku Urban ka realizuar të hyra në vlerë prej 5 milionë e 250 mijë e 716 euro e 74 centë.
Rezultati financiar pas përfshirjes së shpenzimeve të zhvlerësimit ka mbetur pozitiv, në vlerë prej 22 mijë e 456 euro e 57 centë.
Në raport është bërë e ditur se shpenzimet e personelit janë rritur për 14.6 për qind, kryesisht si rezultat i rritjes së pagave dhe shtesave.
Si sfidë kryesore për vitin 2026 është përmendur rritja e çmimit të derivateve të naftës, e cila sipas raportit ka ndikuar në rritjen e kostos së funksionimit të autobusëve për 80 për qind që nga muaji mars.
Trafiku Urban aktualisht operon në nëntë linja urbane dhe ka në dispozicion 51 autobusë. Gjatë vitit 2025, ndërmarrja ka regjistruar mbi 20 milionë përdorues.
Ndër prioritetet për periudhën e ardhshme janë modernizimi i flotës me autobusë të rinj, digjitalizimi i sistemit të pagesave përmes “Kuletës Digjitale” dhe përmirësimi i cilësisë së transportit publik.
Ndërsa, Asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rifadije Sopi, gjatë shqyrtimit të raportimit mbi performancën financiare dhe operative të N.P.K. “Trafiku Urban” në Kuvendin e Kryeqytetit, ka theksuar se ndërmarrja gjatë vitit 2025 ka regjistruar mbi 20 milionë përdorues, raporton Ekonomia Online.
Sopi ka thënë se aktualisht shërbimi i transportit publik ofrohet përmes nëntë linjave urbane, me rreth 51 autobusë në dispozicion.
Ajo ka vlerësuar se numri i përdoruesve përbën rezultat historik për ndërmarrjen dhe dëshmon kërkesën e qytetarëve për transport publik.
“Aktualisht shërbimi ofrohet përmes nëntë linjave urbane, në dispozicion ofrohen rreth 51autobusë me të cilat realizohet ofrimi i transportit publik për qytetarët. Gjatë vitit 2025, ndërmarrja ka regjistruar mbi 20 milionë përdorues. Është një rezultat historik për “Trafikun Urban” dhe një tregues i rëndësishëm i kërkesës për shërbimin tonë si dhe i besimit të qytetarëve në transportin publik.
Rezultatet kryesore financiare për vitin 2025. Viti 2025 ka shënuar një kthesë të rëndësishme në performancën financiare të ndërmarrjes pas rezultatit negativ të vitit 2024. “Trafiku Urban” e ka përmbyllur vitin 2025 me fitim neto prej 368,106 €. Të hyrat totale të realizuara për vitin 2025 arritën në vlerën 10.06 milionë €, krahasuar me rreth 9 milionë € në vitin 2024″, tha Sopi.
