Kosova dhe Italia kanë përmbyllur procedurat për përditësimin e marrëveshjes për njohjen reciproke dhe konvertimin e patentë-shoferëve, duke lehtësuar procedurat për qytetarët kosovarë që jetojnë në Itali.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano, përmes një njoftimi të përbashkët.
Sipas njoftimit, përditësimi i marrëveshjes mundëson përfshirjen edhe të modelit të ri të patentë-shoferit të Republikës së Kosovës, i cili është në përdorim që nga viti 2024.
Ndryshimet e dakorduara do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Ambasada dhe Konsullata kanë vlerësuar se ky është një zhvillim i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe në përmirësimin e shërbimeve për diasporën kosovare.
Po ashtu, përfaqësitë diplomatike kanë theksuar se do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e interesave të qytetarëve kosovarë dhe lehtësimin e jetës së tyre në Itali.