AKP miraton vendime për administrimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore, 13 raporte të shitjes direkte marrin dritën jeshile

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka miratuar një sërë vendimesh që lidhen me avancimin e proceseve të administrimit, shitjes dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Në mbledhjen e mbajtur më 27 gusht 2026, Bordi ka shqyrtuar çështje që ndërlidhen me pronat e ndërmarrjeve shoqërore jashtë territorit të Kosovës, asetet e Trepçës, shitjet përmes tenderëve publikë dhe procedurat e shitjeve direkte.

Sa u përket pronave të ndërmarrjeve shoqërore që ndodhen jashtë Kosovës dhe kontesteve gjyqësore që lidhen me to, Bordi ka vendosur që, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, të zgjerojë bashkëpunimin me shtetet ku gjenden këto asete.

Po ashtu, është diskutuar për asetet jothelbësore të NSh-së “Trepça”, të cilat, sipas Ligjit për Trepçën ShA, kanë mbetur nën menaxhimin e AKP-së.

Në kuadër të vendimeve për administrimin e ndërmarrjeve, Bordi ka aprovuar Shtojcën e Rregullores për Ndërmarrjet në Administrim Direkt, përkatësisht Rregulloren për NSh “Inex Sharr Pllanina” në Brezovicë, si dhe ka emëruar shtatë anëtarë të Bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Ndërkaq, në procesin e shitjeve përmes tenderëve publikë, me kërkesë të Komunës së Skenderajt dhe Obiliqit janë larguar tri asete, ndërsa me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë janë larguar edhe 90 asete, të gjitha për shkak të interesit të përgjithshëm publik. Një aset tjetër është larguar me kërkesë të një pale, pasi që ishte në trajtim për shitje direkte.

Sa i përket shitjeve direkte, Bordi ka shqyrtuar raportet fillestare rekomanduese, ku katër kërkesa janë aprovuar për procedurë të mëtejshme, ndërsa 11 të tjera janë refuzuar.

Gjithashtu, janë miratuar 13 raporte përfundimtare të shitjes direkte, përmes të cilave është aprovuar çmimi i shitjes dhe është autorizuar vazhdimi i procedurave për përmbylljen e tyre.

Në këtë mbledhje, Bordi ka refuzuar edhe tri kërkesa për blerjen e banesave të ndërmarrjeve shoqërore, me arsyetimin se aplikuesit nuk kishin dokumentuar mjaftueshëm kërkesat dhe nuk i plotësonin kushtet ligjore për aprovim.

Ndërkohë, Bordit i janë paraqitur dy raporte informuese që lidhen me verifikimin e aseteve të dhëna me qira. Raporti i parë ka të bëjë me evidentimin e rasteve të mundshme të nënqiradhënies, ndërsa i dyti me identifikimin e ndërtimeve eventuale me material të fortë në tokat bujqësore të lëshuara me qira.

Në fushën e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi ka miratuar shpërndarjen e mjeteve për kreditorët e dy ndërmarrjeve.

Konkretisht, për NSh “Hotel Mineral” është miratuar shuma prej 17 mijë e 302 eurosh për një kreditor, ndërsa për NSh “Ramiz Sadiku” janë ndarë 6 mijë e 809 euro e 67 centë për tre kreditorë.

Në të njëjtën mbledhje, Bordi ka shqyrtuar edhe çështjen e procedurës së arbitrazhit UNCITRAL, në rastin AC-II-25-0001, ndërmjet NR Agro Kosova Holding Sh.P.K. dhe Q.M.I. – Qendra e Mobileve Italiane Sh.P.K. kundër AKP-së, me ç’rast ka aprovuar angazhimin e dy ekspertëve për nevojat e mbrojtjes së Agjencisë.

Po ashtu, është vendosur angazhimi i një eksperti ligjor për hartimin e strategjisë së transformimit të AKP-së dhe aktiviteteve të tjera që lidhen me këtë proces.

AKP-ja ka ritheksuar përkushtimin për avancimin e proceseve të transformimit, likuidimit dhe administrimit të aseteve shoqërore, duke theksuar se këto procese do të zhvillohen në përputhje me mandatin ligjor, në mënyrë transparente dhe profesionale, me synim mbrojtjen e interesit publik.

Të ngjashme