Pas rivarrimit në Mitrovicë të doktorit Adem Ademi, djali i tij, Erblin Ademi, ka publikuar një dedikim prekës, duke shprehur dhimbjen për mungesën e të atit, të cilin nuk e kishte parë për 27 vjet.
Në një postim emocionues, Erblini ka rrëfyer se ishte vetëm 9 vjeç kur e kishte përqafuar për herë të fundit babanë e tij, ndërsa kujton se atë përqafim e mban ende të gjallë në kujtesë.
Ai ka shkruar se për gjithë këto vite ka jetuar me mungesën e të atit, duke e kërkuar atë në kujtime dhe në rrëfimet e njerëzve të tjerë.
Në dedikimin e tij, Erblini ka kujtuar edhe nënën, e cila, sipas tij, e kishte pritur deri në ditën e fundit të jetës dhe kishte bërë gjithçka për të mësuar për fatin e bashkëshortit të saj. Ai shprehu keqardhjen që ajo nuk arriti ta përjetonte ditën e rivarrimit.
“Sot po të japim lamtumirën që na u mohua për kaq shumë vite. Por kjo nuk është lamtumirë në zemrën time, sepse ti do të vazhdosh të jetosh në mua, në kujtimet e mia dhe në çdo vlerë që më ke lënë trashëgim”, ka shkruar ai.
Në fund të mesazhit, Erblini ka shprehur dëshirën që të kishte pasur mundësinë ta përqafonte edhe një herë babanë dhe t’i tregonte se sa shumë i kishte munguar.
“Prehu në paqe, babai im. Deri në ditën kur do të takohemi përsëri, ruaje një vend për mua pranë vetes. Këtë herë, shpresoj të mos na ndajë më asgjë”, ka përfunduar dedikimin e tij .