Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) ka kërkuar që industria e qumështit të bëhet prioritet kombëtar dhe të mbështetet nga shteti përmes investimeve konkrete
Në një komunikatë për media, SHQK ka shprehur mbështetjen për kontrollet e vazhdueshme të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë, duke i vlerësuar ato si hapa të nevojshëm për rritjen e sigurisë së produkteve të qumështit dhe ushqimit në përgjithësi.
“Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) mbështet kontrollet e vazhdueshme të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë. Këto janë hapa të nevojshëm për të rritur sigurinë e produkteve të qumështit dhe të ushqimit në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
Sipas Shoqatës, kontrollet e rregullta, të paanshme dhe gjithëpërfshirëse janë në interes të konsumatorëve dhe prodhuesve vendorë, pasi rrisin besimin në produkte dhe krijojnë kushte për konkurrencë të ndershme në treg.
“Nga kontrollet e rregullta, të paanshme dhe gjithëpërfshirëse përfitojnë si konsumatorët, ashtu edhe prodhuesit vendorë. Konsumatorët fitojnë më shumë besim te produktet që blejnë, ndërsa prodhuesit nxiten të shtojnë kujdesin për produktet që nxjerrin në treg. Një treg kaotik nuk i shërben askujt. Kur rregullat zbatohen njësoj për të gjithë, krijohen kushte për konkurrencë të ndershme dhe zhvillim të prodhimit vendor”, bëhet e ditur në njoftim.
SHQK ka theksuar se çdo gabim eventual gjatë procesit të kontrolleve duhet të shqyrtohet me transparencë dhe të korrigjohet në kohë. Po ashtu, ka kërkuar që fermerët, pikat grumbulluese dhe qumështoret të hyjnë në një fazë të re zhvillimi, me standarde më të larta dhe përgjegjësi në të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit.
Në fund, SHQK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të vazhdojnë kontrollet dhe të nisin përgatitjet për një program zhvillimor për industrinë e qumështit, i cili do të zbatohej nga viti 2027.
“Gjatë këtij procesi mund të ndodhin gabime. Kur evidentohen, ato duhet të shqyrtohen me transparencë dhe të korrigjohen në kohë.
Fermerët që prodhojnë qumësht, pikat grumbulluese dhe qumështoret duhet të hyjnë në një fazë të re zhvillimi, me standarde më të larta dhe përgjegjësi në çdo hallkë të zinxhirit. Kontrollet duhet të shoqërohen me bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes sektorit dhe institucioneve. Parandalimi i korrupsionit dhe ushtrimi me përgjegjësi i detyrës zyrtare janë thelbësore për të ruajtur besimin në këtë proces.
SHQK kërkon që shteti ta bëjë industrinë e qumështit prioritet kombëtar dhe ta mbështesë me investime konkrete. Kjo mbështetje duhet të jetë pjesë e një politike më të gjerë për forcimin e prodhimit ushqimor vendor dhe rritjen e sigurisë ushqimore në Kosovë.
SHQK i fton institucionet përgjegjëse të vazhdojnë kontrollet dhe të nisin përgatitjet për një program zhvillimor për industrinë e qumështit, me zbatim nga viti 2027. Programi duhet të hartohet në bashkëpunim me fermerët, pikat grumbulluese dhe qumështoret, me masa konkrete për investime në secilën hallkë, përmirësimin e cilësisë së qumështit dhe forcimin e prodhimit vendor” , thuhet në njoftim.